Hysen Memolla kthehet në Itali, mbrojtësi kalon tek Salernitana

schedule19:03 - 19 Janar, 2019

schedule 19:03 - 19 Janar, 2019

Hysen Memolla është larguar nga Kroacia dhe ka gjetur ekip në Itali. Mbrojtësi, që luajti dy ndeshje me kombëtaren, do të aktivizohet tek Salernitana në Serinë B

Hajduku mund të quhet tashmë një e shkuar. Ndërsa një shqiptar si Françesko Tahiraj bashkohet me skuadrën kroate, një tjetër, Hysen Memolla, vendos të largohet. Mbrojtësi i majtë është transferuar në Itali, tek Salernitana, ku pritet të nënshkruajë kontratën dhe të luajë gjysmën e dytë të sezonit.

Mediat italiane e kanë tashmë të zyrtarizuar shqiptarin, që duket se ka kaluar edhe vizitën mjekësore dhe quhet tashmë një përforcim në krah të mbrojtjes për ekipin e trajnerit Anxhelo Greguçi.

Memolla ka marrë pjesë në stërvitje me skuadrën, ndërsa do të jetë pushim, ashtu si shokët e tij, deri të hënën, kur do të nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Leçes në Serinë B.

Futbollisti 26-vjeçar bën kështu një rikthim në Itali, ku ka shkuar në moshën 1-vjeçare, dhe ku është formuar nga ana profesionale. Pasi luajti për Martina Frankën dhe Veronën, u transferua në Slloveni te Koperi, dhe pastaj kaloi me të drejta të plota tek Hajduku.

Me ekipin nga Spliti, u bë lojtar formacioni dhe tërhoqi vëmendjen e trajnerit të kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, I cili e grumbulloi dhe e aktivizoi në dy ndeshje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!