Arsenal-Chelsea, superdueli i Premier League

schedule15:35 - 18 Janar, 2019

schedule 15:35 - 18 Janar, 2019

Arsenal-Chelsea është superdueli i kësaj jave në kampionatin anglez. Ndeshje të lehta për Manchester United, Liverpool-in dhe Manchester City-n.

Premier League angleze rikthehet këtë të shtunë ku spikat superdueli mes Arsenalit dhe Chelsea-t. Një derbi londinez që pritet të dhurojë emocione dhe spektakël ashtu siç ka ndodhur në ndeshjet e fundit mes tyre. Arsenal ka një avanatzh të lehtë në këtë duel pasi luan në shtepinë e saj, saktësisht në “Emirates Stadium”.

Topçinjtë e Londrës e nisën mirë sezonin aktual, por më pas filloi rënia dhe tashmë e shohin veten në vendin e 5 në kuotën e 41 pikëve, plot 6 pikë më pak se skuadra e Chelsea-t. Objektiv primar i Arsenal është kualifikimi në Champions League çka do të vështirësohet akoma më shumë në rast se skuadra nuk arrin të frenojë rivalët e Chelsea-t. Nga ana tjetër, blutë e Londrës kërkojnë të ngjiten në treshen e parë të renditjes dhe janë vetëm një pikë më pak se Tottenham që mban vendin e 3 në klasifikim.

Liverpool do të presë në shtëpi skuadrën e Crystal Palace. Një mundësi tjetër për të besuarit e trajnerit Jurgen Klopp për të vazhduar rrugëtimin drejt titullit kampion. The Reds janë në krye të tabelës me 4 pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Manchester City. Xherdan Shaqiri pritet ta nisë këtë takim si titullar ashtu siç ka ndodhur shpesh në ndeshjet e fundit. Manchester United i drejtuar nga trajneri Solskjaer do të presë në Old Trafford, Brighton Albion. Djajtë e kuq numërojnë 6 fitore radhazi që prej largimit të trajnerit Jose Mourinho madje fituan edhe në provën e vërtetë ndaj Tottenham. Manchester ka rikuperuar shumë vende dhe është vetëm një pikë larg Arsenalit.

Manchester City do udhëtojë në transferten e Huddersfield që mban vendin e fundit të tabelës. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola pritet të regjistrojnë një fitore të lehte, pse jo me një goleadë. Fulham-Tottenham është ndeshja mbyllëse e javës së 23-të të Premier League-s angleze. Londinezët do të kërkojnë të rikthehen tek fitorja pas disfatës ndaj Manchester United. Trajneri Pochetino duhet t’i bëjë llogaritë mirë pasi skuadra do të luajë për një kohë të gjatë pa sulmuesin Harry Kane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!