Hahn takon Ramën: Ristrukturimi i gjyqësorit të përfundojë sa më parë

schedule21:57 - 17 Janar, 2019

schedule 21:57 - 17 Janar, 2019

Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn u takua sot në Tiranë me kryeministrin Rama për të diskutuar përparimin në reformat që lidhen me integrimin në BE. Komisioneri nënvizoi se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar për të dhënë rezultate të prekshme në programin e reformave.

Në një njoftim të zyrës së delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, bëhet i ditur vlerësimi i Komisionerit se Reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme.

Komisioneri Hahn vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare.

Komisioneri përsëriti se angazhimi i fortë në procesin e integrimit në BE nga kryeministri Rama është kyç dhe se dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike, si dhe gatishmëria për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Një marrëveshje ndërpartiake për reformën zgjedhore për të trajtuar rekomandimet nga OSBE / ODIHR do të ishte një mundësi e mirë për ta treguar një gatishmëri të tillë- perfundon njoftimi per takimin e komisionerit Hahn me kryeministrin Rama. /abcnews.al