Pastrimi i parave në Shqipëri, kontabilisti mbrohet para drejtësisë: Gjithçka e ligjshme

schedule18:14 - 17 Nëntor, 2021

schedule 18:14 - 17 Nëntor, 2021

“Gjithçka e ligjshme”, kështu ka dëshmuar para drejtësisë kontabilisti Fabio Petruzzella, i arrestuar me akuzën se ka pastruar paratë e ndërtuesit Francesco Zummo, përmes një skeme ku ishte i përfshirë edhe  biznesmeni i hidrokarbureve Rezart Taçi i shpallur në kërkim.

Në dëshminë e tij Petruzzella hedh poshtë akuzat. I pyetur nga gjyqtari Alfredo Montalto ai pretendon se nuk ka bërë asgjë të paligjshme.

E ndërsa Taçi është në kërkim dhe dy njerëzit e tij në Shqipëri janë arrestuar, prokuroria e posaçme do të verifikojë të gjitha pasuritë e biznesmenit të hidrokarbureve. Hetuesit pritet ti kërkojnë informacion bankave të nivelit të dytë në vend, për të identifikuar llogaritë bankare në emër të Taçit dhe familjarëve të tij si dhe zyrës së pasurive të paluajtshme.

Taçi siç thuhet në dosje kishte rol në transferimin e mbi 18 milionë eurove të Francesco Zummo. Për shumën që do të kalonte nga Zvicra në Shqipëri dhe më pas në Singapor ose Hong Kong, Taçi do të merrte pjesën e tij mbi 3 milionë euro si “komision” për ndihmën. be.k/abcnews.al