Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca këtë të martë në një deklaratë për mediat ka akuzuar Listën Serbe se është duke e shantazhuar Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, me mospjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e planifikuara gjatë periudhës së fundit.
Por, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të tolerohet dhe të ketë kushtëzime nga Lista Serbe.
Gjithashtu Konjufca ka treguar edhe detaje kur nënkryetari i Kuvendit nga Lista Serbe, Slavko Simiç është larguar nga mbledhja.
“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Nuk pranojmë kurrfarë shantazhi, aq më keq që Lista Serbe është duke e bërë shantazhin në mënyrë publike, pa e fshehur, bile me një strategji të shfaqjes së këtij bojkoti”, tha Konjufca.
Ndër të tjera kryeparlamentari u shpreh se Lista Serbe me këtë po dëshiron të kushtëzojë institucionet e Kosovës, por një gjë e tillë sipas tij, nuk do të pranohet.
“Përmes kësaj Lista Serbe po don me tregu një lloj kushtëzimi për institucionet e Kosovës, por ky kushtëzim nuk pranohet, ky kushtëzim refuzohet. Mendoj se me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, do të konsolidohet edhe më mirë Kryesia dhe nuk do të vërehet bojkoti nga ana e Listës Serbe…”, u shpreh Konjufca.
Ai tha se Simiç edhe herën e kaluar kur ishte planifikuar të mbahej mbledhja e Kryesisë qëllimshëm është larguar, duke e pamundësuar mbajtjen e saj.
“Simiç po vjen këtu, po shfaqet, nuk është se po mungon nga fillimi, po vjen po e sheh që jemi katër, që është numri i mjaftueshëm për mbajtjen e mbledhjeve, ai po largohet që të mbesim tre e të mos mund të funksionoj mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar, ne ishim katër, sapo filluam Sllavko Simiçi kur e pa që jemi në pragun e kuorumit për të marrë vendimin, ai foli në telefon me dikë dhe u largua. Këtë e ka bërë edhe sot”, u shpreh i pari i Kuvendit. /abcnews.al