Karabinierët në Itali kanë arrestuar 4 shqiptarë në lidhje me rreth 1 ton drogë të dërguar në vendin fqinj vitin e kaluar. Pas disa muaj hetime operacioni i koduar “Varka e Bardhë” është finalizuar këtë të enjte.
Karabinierët e repartit operativ në Maçerata të Italisë kanë ndaluar 4 shtetas shqiptarë, në lidhje me një ngarkesë droge të dërguar në rrugë detare në vendin fqinj.
Bëhet fjalë për 915 kilogramë të ndarë në 30 pako, që ishin gjetur pranë një gomoneje të braktisur në lokalitetin Porto Rekanati 29 qershorin e kaluar. Pranë mjetit lundrues ishin gjetur edhe 28 bidonë me benzinë për të realizuar kthimin në Shqipëri, por një dëmtim i pësuar në momentin e mbërritjes kishte bërë që trafikantët ta braktisnin dhe të largoheshin.
Fillimisht efektivët analizuan kodet e stampuara në bidonët me benzinë, falë të cilëve arritën në dyqanet ku ato ishin blerë. Prej këtej u arrit në identifikimin e trafikantëve, me karabinierët që vunë në përgjim telefonët e tyre. Këtë të enjte autoritetet e vendit fqinj kanë finalizuar operacionin e koduar “Varka e Bardhë”, që ka çuar në arrestimin e 4 shqiptarëve, të moshave 26, 30, 34 dhe 49 vjeç.
Tre prej tyre kanë përfunduar në qeli, ndërsa i katërti në arrest shtëpie me byzylyk elektronik. Prokurori i çështjes, Giovanni Giorgio ka deklaruar se forcat e rendit po i kushtojnë vëmendje të madhe frenimit të trafikut të drogës që vjen nga Shqipëria. Nëse do të ishte hedhur në treg, lënda narkotike e sekuestruar do të kishte sjellë për organizatat kriminale 5 milionë euro fitime./abcnews.al