Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për stomatologen, Olesia Duka, e cila dyshohet se përmes mashtrimit ka përvetësuar një shumë prej 900 mijë euro, marrë qytetarëve të ndryshëm. Për 38-vjeçaren nga Tirana dhe familjarëve të saj, Gjykata e qytetit bregdetar vendosi të sekuestrojë pasuri me vlerë 300 mijë euro, të cilave u është vendosur sekuestro preventive.
Një stomatologe nga Tirana kishte ngritur skemën e saj të mashtrimit me aparatura të shërbimit dentar. 900 mijë euro mendohet të jetë dëmi i shkaktuar ndaj personave të ndryshëm, te cilëve 38-vjeçarja, Olesia Duka, u premtonte atyre pajisjen me aparatura dentare në klinikat e tyre.
Për ta prefeksionuar edhe më mirë skemën e saj, Olesia Duka, sipas Prokurorisë së Durrësit premtonte se pasi klinika të ishte kompletuar me pajimet bazë, që ajo do t’ia siguronte, 38-vjeçarja premtonte edhe asistencë pranë biznesit të ri. Për këto mashtrime ndaj stomatologes ishin bërë shumë denoncime nga biznesmenë, të cilët ishin gënjyer në vlera të mëdha monetare.
Organi i akuzës ka zbuluar skemën e mashtrimit të stomatologes. Ajo iu merrte para qytetarëve të ndryshëm, duke i gënjyer se kishte tetë klinika dentare dhe duhet të blinte aparatura e pajisje, ndërkohë që nuk i kthente më ato. Personi që ka pësuar më shumë nga mashtimet e Olesia Dukës është biznesmeni I. H., i cili ka bërë dhe denoncimin në polici. Nisur nga dëmi i shkaktuar, Gjykata e qytetit bregdetar ka lënë në masë sigurie arrest me burg për Dukën. Ndërkohë u vendos edhe sekuestro preventive për pesë pasuri të 38-vjeçares dhe familjarëve të saj me një vlerë mbi 300 mijë Euro. Prona të paluajshme u sekuestruan në Tiranë e Durrës, gjithsej pesë aparatamente banimi. Por stomatologia ka edhe një klinikë dentare në Tiranë, që u sekuestrua gjithashtu. Duka ishte një person i njohur, pasi kishte marrë pjesë në disa fondacione bamirësie në Shqipëri e Kosovë./abcnews.al