7 vjet pas largimit të Berishës dhe 3 vjet pas humbjes së 2017′, Bardhi: Dera e PD, hapur për të gjithë

schedule16:03 - 26 Qershor, 2020

schedule 16:03 - 26 Qershor, 2020

Në 26 qershor 2013 pas dy dekadash në krye të Partisë Demokratike dhe 8 viteve në qeverisje, Sali Berisha, lideri historik i demokratëve mori vendimin për të hequr dorë nga të gjithë funksionet në forcën e tij politike pas humbjes në zgjedhje.

“Me një vendim të prerë kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike. Të jem thjesht njëri prej jush,  anëtar i Partisë Demokratike dhe deputet i saj. Më besoni mua se për këtë humbje e tërë përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua Sali Berishën”, deklaroi Berisha 7 vite më parë.

Tre vite më parë, në 26 qershor 2017 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shpallur në pjesën më të madhe të vendit humbëse Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare.

Në atë kohë, Lulzim Basha e përsëriti zotimin e tij se do të ishte hera e fundit që hartonte i vetëm listat e kandidatëve për deputetë.

“Siç u shpreha kur dorëzova listën e deputetëve, kjo duhet të jetë hera e fundit që lista dorëzohet nga kryetari dhe që këtej e tutje do të jetë produkt i një procesi transparent, gjithëpërfshirës, me standarde dhe konkurrues për të evidentuar me votën e çdo anëtari në Partinë Demokratike më të mirët dhe për tu bashkuar në krah të tyre në betejë”, tha Basha në vitin 2017.

Nga sot Partia Demokratike nisi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, pas një udhëzimi të miratuar të enjten nga kryesia e Partisë Demokratike.

Numri dy i demokratëve, Gazment Bardhi konfirmon se me përzgjedhjen e kandidatëve demokratët kanë nisur përgatitjen për zgjedhjet parlamentare, të cilat kanë besimin se do të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet vendore.

“Pritshmëria jonë është që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të duhet të zbatojë kushtetutën. Në rastin e zbatimit të kushtetutës së republikës së Shqipërisë, qeverisja vendore do të duhet të kthehet në shinat e kushtetutshmërisë. Do të duhet të kthehet në shinat e zgjedhjeve normale, të ligjshme, kushtetuese të përfaqësuesve në pushtetin vendor. Dhe do të duhet pa asnjë diskutim të kemi zgjedhje lokale legjitime”, deklaroi numri dy i demokratëve.

Bardhi konfirmon takimet e Bashës me ish-funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, të cilët do të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit të kandidatëve.

“Zoti Basha është në kontakt të vijueshëm me ish-themelues të Partisë Demokratike të cilët vijojnë të japin kontributin e tyre në Partinë Demokratike. Sigurisht që ata mund të marrin detyra apo funksione të rëndësishme brenda Partisë Demokratike siç janë edhe komisionet që pritet të zgjidhen brenda datës 25 korrik”, sqaron Bardhi.

Nëse anëtarësia do të propozojë emra si ai i Jozefina Topallit, të cilët nuk i kanë kursyer kritikat për lidershipin e Lulzim Bashës, sekretari i Përgjithshëm konfirmon se dera do të jetë e hapur.

“Asnjë individ nuk do të jetë i paragjykuar dhe i përjashtuar nga procesi i marrjes së propozimeve, seleksionimit dhe vlerësimit nga komisioni i vlerësimit të kandidatëve dhe në procesin e konsultimit nga anëtarësia”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i demokratëve.

Pjesë e listave të demokratëve mund të jenë edhe intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kauzat e të cilëve Partia Demokratike ka mbështetur gjatë viteve të saj në opozitë./abcnews.al