“6 minuta për një vendim? Ky nuk është futboll!”, Tabarez kritikon VAR-in

schedule15:37 - 14 Tetor, 2020

schedule 15:37 - 14 Tetor, 2020

Uruguaji i nisi eliminatoret e Katar 2022 me një fitore 2-1 ndaj Kilit, por mbrëmjen e kaluar u shpartallua në Ekuador. Vendasit fituan 4-2 përballë djemve të Oscar Tabarez, të cilët zhvilluan një ndeshje për t’u harruar.

Ekuadori zhbllokoi takimin në minutën e 14-të, por miqtë barazuan katër minuta më vonë më anë të Luis Suarez. Gjithsesi, VAR-i anuloi golin e sulmuesit të Atletico Madrid, veprim për të cilin u humbën 6 minuta kohë dhe sollën acarimin e trajnerit të Uruguajit.

Golat dhe rastet e EKUADOR-URUGUAJ

VAR-i është një mjet që filloi të përdorej për zgjidhjen e problemeve, kështu që unë nuk do ta diskutoja në asnjë mënyrë teknologjinë. Por, kur nevojiten 6 minuta për të marrë një vendim, nëse është penallti, gol apo pozicion i parregullt, ky nuk quhet më futboll.

Nuk mund të flasim më për ndeshje normale. Nuk kam synim të kritikoj VAR-in, njerëzit që merren me të apo arbitrat. Duhet të angazhohemi të gjithë për një futboll më të mirë dhe më të drejtë. Ama, duhet të respektojmë edhe rrënjët historike të këtij sporti“, deklaroi Tabarez pas ndeshjes. /abcnews.al