58 shoferë në pranga gjatë fundjavës

schedule18:21 - 6 Gusht, 2018

schedule 18:21 - 6 Gusht, 2018

Konsumi i alkoolit, shpejtësia tej normave të lejuara dhe përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit vijojnë të mbeten shkaqet kryesore për aksidente. Për këto arsye, vetëm gjatë fundjavës Policia Rrugore ka arrestuar 58 drejtues mjetesh, ndërsa 254 të tjerëve iu ka pezulluar lejen e drejtimit të mjetit.

58 drejtues mjetesh janë vënë nën pranga vetëm gjatë fundjavës. 21 prej tyre policia i ka kapur duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, ndërsa 37 të tjerëve iu mungonte patenta. Të dhënat i ka bërë publike Drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Mithat Tola, sipas të cilit shumë të tjerëve iu është pezulluar patenta apo janë ndëshkuar me gjobë.

“Policia ka pezulluar gjithashtu 254 leje drejtimi, për tejkalim të limiteve të shpejtësisë dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit etj. Për mbi 7.800 drejtues mjeti janë vendosur masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, sidomos për parakalime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskove mbrojtëse dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve.”

Masat e marra bënë që këtë fundjavë në zonat turistike të mos regjistrohej asnjë aksident rruor me pasoja serioze për jetën. Drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit paralajmëron drejtuesit e mjeteve se toleranca e uniformave blu ndaj atyre që shkelin ligjin do të vijojë të jetë zero.

“Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rigorozisht rregullat e qarkullimit rrugor. Patrullat e Policisë Rrugore, statike apo të lëvizshme do të marrin masat për të gjithë ata drejtues mjeti që kthehen në burim aksidenti duke shkelur normat e sjelljes.”

Apeli i rrugorëve për kujdes gjatë drejtimit të mjetit vjen në një kohë kur në pikat e kalimit kufitar vetëm në një ditë kanë hyrë në Shqipëri mbi 53 mijë persona dhe mbi 12 mijë e 300 mjete duke shtuar trafikun në rrugët e vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!