3.4 milionë eurot transportohen në Tiranë

schedule15:23 - 26 Qershor, 2018

schedule 15:23 - 26 Qershor, 2018

Shuma marramendëse e 3.4 milionë eurove të ardhura nga Gjermania në Shqipëri në dy mjete “Toyota” janë transportuar nga Durrësi në Tiranë për t’u depozituar në një bankë në nivelit të dytë. Procesi i inventarizimit të 80-90 mijë kartmonedhave në total ka zgjatur 17 orë dhe gjithçka është regjistruar në video.

Sasia prej 3.4 milionë euro e bllokuar në dy automjete “Toyota” që vinin nga Gjermania në portin e Durrësit ka bërë një rrugëtim të ri. Paraditen e së hënës, përmes një autoblinde shuma e parave është transportuar nga Durrësi në Tiranë. Burime pranë Policisë së Shtetit konfirmuan për ABC News se vlera marramendëse e parave të sekuestruara është depozituar në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet. Ky veprim është kryer bazuar në një procedurë standarde të miratuar nga prokuroria dhe policia me qëllim sigurimin fizik të parave.

Sipas burimeve, numërimi i të hollave të gjetura në brendinë e dy “Toyota”-ve i ka lodhur jo pak punonjësit e policisë. Përveç numërimit, Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë regjistruar numrat e serisë të çdo kartmonedhe të sekuestruar.

Burimet saktësuan se ky proces ka filluar rreth orës 15:00 të së dielës dhe ka përfunduar në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës. Për shkak të prerjeve të vogla 10, 20 dhe 50 euro sasia ka qenë voluminoze. Bëhet e ditur se shuma prej 3.4 milionë euro përbëhej nga gati 80-90 mijë kartmonedha në total. Inventarizimi i kartmonedhave është realizuar nga 5 oficerë të policisë gjyqësore, në prani edhe të prokurorit, një eksperti kontabël dhe të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve, përveç dokumentimit të çdo veprimi përmes procesverbaleve, gjithë procesi 17 orësh është regjistruar në video dhe në tabelë fotografike. Të hollat e magazinuara në kasafortën e një banke të nivelit të dytë kanë cilësinë e provës materiale për procedimin penal të nisur nga Prokuroria e Durrësit për veprat penale të “pastrimit të parave”, “prodhimi e mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “falsifikimi i monedhave”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!