28 ambasadorët e përhershëm të BE-së po flasin në këto momente për çështjen e zgjerimit. Në një lidhje me skype nga Brukseli në orën 19:00, gazetarja e ABC News Erisa Zykaj tha se në këto momente ambasadorët po flasin për axhendën e zgjerimit dhe qëndrimin e Francës dhe Hollandës. Sipas diskutimeve që u bënë dje ministri i jashtëm holandez, Blok konsideron se Shqipëria nuk është gati për hapjen negociatave.
“Steve Blok ka lajmëruar edhe vendet e tjera se është e parakohshme që të hapen negociatat, se Shqipëria nuk ka dhënë rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor. Tashmë ka një mundësi reale për të ndarë vendimmarrjen për Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë.
Hollanda tashmë e ka bllokuar procesin. Hollanda e bën shumë të vështirë procesin, sepse me këtë JO, Kryeministri i Holandës e ka shumë të vështirë që në samitin e 18 tetorit t’u thotë të tjerëve që unë do bashkohem me ju.
Franca bëhet fjalë për një PO të kushtëzuar për një skenar më të mirë vitin e ardhshëm, jo këtë vit. Burimet franceze janë të shqetësuar për numrin e lartë të azilkërkuesve. Franca ka shpalosur një qëndrim të qartë për një PO të kushtëzuar”.
Deri më tani Shqipëria ka një PO me kushte nga Bundestagu Gjerman për çeljen e negociatave, një JO nga Hollanda dhe një PO të kushtëzuar nga Franca./abcnews.al