Ministria e Brendshme ka shpallur “non grata” për një periudhë 10-vjeçare dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Valon Bela dhe Bekir Halimi, duke i konsideruar si persona që përbëjnë rrezik potencial për sigurinë kombëtare.
Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, për Valon Belën është firmosur edhe urdhri i dëbimit të menjëhershëm nga territori i Shqipërisë, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Vendimi është firmosur nga ministri i Brendshëm Lamallari, bazuar në vlerësimet e agjencive të inteligjencës dhe strukturave të zbatimit të ligjit, të cilat i konsiderojnë të dy shtetasit si kërcënim real për sigurinë e vendit.
Burime për ABC News bëjnë me dije se Valon Bela identifikohet si një figurë aktive në skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe mbështetës i koalicionit VLEN dhe Izet Mexhitit, ndërsa Bekir Halimi përshkruhet nga të njëjtat burime si një islamist radikal.


