Janë arrestuar dy shoferët të cilët shkaktuan një aksident tragjik dy ditë më parë në Durrës. Në pranga kanë rënë Xhoni Muço 22-vjeç dhe Sokol Kovaci 47-vjeç.
Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së martës në aksin rrugor ura e Dajlanit-Shkozet. I dehur në timon, 22-vjeçari Xhoni Muço ka përplasur motorçikletën e drejtuar nga Sokol Kovaçi, ku në të ishin edhe 4 fëmijë të tij, dy prej të cilëve fatkeqësisht ndërruan jetë. 15 vjeçari Franci Kovaçi humbi jetën në vend, ndërsa 13 vjeçari, Danjel Habibi ndërroi jetë pas disa orës në spitalin e Durrësit.
Policia tha se Xhoni Muço duke drejtuar “Fordin” po lëvizte nga Ura e Dajlanit në drejtim të Shkozetit dhe rreth orës 22:40 ka përplasur motorçikletë pa targa, të modifikuar me karrocë, ku gjendeshin të miturit. Policia shtoi se 22-vjeçari i është bërë testi i alkoolit me DRAGER ku ka rezultuar në gjendje të dehur. Po kështu i dehur ka rezultuar edhe drejtuesi i motocliketës Sokol Kovaci, i cili humbi të birin në këtë aksident.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M., 22 vjeç dhe S. K., 47 vjeç, të dy banues Durrës, pasi më datë 08.02.2022, në mbrëmje, në rrugën “Bajram Tusha”, në lagjen nr.14, Durrës, 22-vjeçari, duke drejtuar mjetin në gjëndje të dehur është përplasur me një motomjet që drejtohej në gjendje të dehur nga 47-vjeçari dhe si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi F. K. dhe u dëmtua rëndë shtetasi D. H., i cili ka humbur jetën më vonë në spital. Gjithashtu, si pasojë e aksidentit kanë mbetur të dëmtuar shtetasit D. Q. dhe M. A., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetë/abcnews.al/