Komisioni i Posaçëm i Apelimit i hoqi të drejtën ish-gjyqtares së Lartë, Mirela Fana, për të pasur funksione në sistemin e drejtësisë deri në vitin 2033. Në përfundim të shqyrtimit të ankimit të bërë nga Komisioneri Publik, KPA la të pandryshuar vendimin që pushoi procesin e Vettingut për të.
Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, e dorëhequr në Janar të vitit 2017 nuk ka të drejtë të ketë funksionare e sistemit të drejtësisë për 15 vitet në vazhdim.
“Ndalimi i subjektit të rivlerësimit Mirela Fana të emërohet gjyqtare ose prokurore i çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Prokurorisë, inspektore e drejtësisë ose Prokuroria e Përgjithshme për një periudhë 15-vjeçare”.
Përmes këtij vendimi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit i dha fund shqyrtimit të ankimit të bërë nga Komisioneri Publik për ish-gjyqtaren e Lartë, Fana. Në vendimin që hyn në fuqi menjëherë, Kolegji la të pandryshuar verdiktin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pushimin e procesit të Vettingut për të, duke e shpëtuar përfundimisht nga kontrolli i trefishtë.
Ish-gjyqtarja Fana nuk u paraqit në seancë personalisht, por në sallë nuk erdhi as ndonjë përfaqësues ligjor.
Trupi gjykues vijoi shqyrtimin në mungesë, pasi e konsideroi të rregullt njoftimin e saj për seancën përmes administatorit të pallatit ku banonte.
Komisioneri Publik i kërkoi trupës të riparonte vendimin e dhënë nga KPK në 23 Mars 2018 për pushimin e procesit të Vettingut për Fanën. Sipas komisionerit Florian Ballhysa, në aktin e dorëheqjes të paraqitur para Presidentit të Republikës në Janar 2017, Mirela Fana është dorëhequr nga pozicioni i gjyqtares së Lartë, por ajo vijon të ketë statusin e magjistrates. KPK, tha Komisioneri Publik, nuk ka pasur kompetencë për të ndërprerë procesin e Vettingut për Fanën, bazuar në një shkresë të vetme ku shprehja e vullnetit për doreheqje ishte e paqartë.
Me gjithë pretendimet e ngritura, KPA shmangu rikthimin në Vetting të Fanës, por i pamundësoi kthimin në sistem deri në vitin 2033./abcnews.al