Ekspozita “Mbro dhe promovo” prezanton punimet e 10 fotografëve të rinj shqiptarë e të huaj në kangjellat e Presidencës. Organizatorja Ilda Mare thotë se qëllimi kryesor është promovimi i trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë nga syri i të rinjve.
Për vitin e 3 radhazi konkursi i fotogtafisë “Mbro dhe promovo”, sjell monumentet arkeologjike dhe historike nga syri i të rinjve shqiptarë dhe të huaj. Organizatorja e këtij konkursi, Ilda Mara, teksa flet për interesin e madh të të rinjve jep edhe arsyet pse kanë zgjedhur institucionin e presidencës për këtë ekspozitë.
Megjithëse janë përzgjedhur nga një juri profesionale 10 prurjet më të mira, si fotografia fituese është shpallur “Sarda mesjetare shqiptare”, e studentit polak të arkeologjisë Michal Pisz.
Syri i këtyre të rinjve ka pikasur larmi të monumenteve te ndryshme shqiptare nga veriu në jug, që nga kalaja e Gjirokastrës, Kullat e Veriut apo të Jugut edhe kalaja e Lezhës, parku i Butrintit apo Apolonia.
Janë të shumtë kalimtarët apo turistët e huaj të cilët ndalojnë dhe kundrojnë bukuritë shqiptare të pasqyruara në këto fotografi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të Gushtit në kangjellat e Presidencës, për të rrugëtuar më pas edhe në qytetin e Shkodrës, në kalanë e Beratit dhe pazarin e Gjirokastrës./ABC News Albania 24/7