Paloka: Protesta e radhës, ditën e enjte para parlamentit

schedule15:55 - 19 Mars, 2019

schedule 15:55 - 19 Mars, 2019

Në përgjigje të ambasadorit të OSBE, nënkryetari demokrat Edi Paloka tha se PD nuk do të hyjë kurrë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Paloka foli edhe për protestën e së enjtes, ndërsa tha se kur të vijë koha, dialogu do të bëhet vetëm me ndërkombëtarët.

Për numrin dy të demokratëve Edi Paloka, asnjë deklaratë, qoftë e ndërkombëtarëve apo misioneve të tyre në Tiranë, nuk zvogëlon legjitimitetin e kauzës së opozitës për mbrojtjen e votës së lirë. Sipas tij, sinjalin më të qartë për atë çka kjo qeveri kërkon të bëj me zgjedhjet e dha vetë kryeministri Edi Rama.

“Ka vënë në krye të strukturës se tij për zgjedhje Damian Gjiknurin. Sinjal më të qartë dhe më të kuptueshëm për ne, për qytetarët, për ndërkombëtarët, për ata që duan të shohin nuk ka. Damian Gjiknuri është koka e dosjes 184. Është njeriu që u ngarkua me zgjedhjet në Dibër dhe është kapur si njeriu me gjithë regjistrimet e Prokurorisë si ministri që është marrë me shit-blerjen e votës”.

Për Palokën pyetjes që këto trupa duhet t’i japin përgjigje është një tjetër.

“Si ka mundësi 20% e votave të blera nuk e ndryshojnë rezultatin sepse i bie në një parlament me 140 deputetë i bie 28 deputetë. Imagjinoni sa janë ata që nuk kanë deklaruar. Por edhe kaq janë boll, për të treguar kush është legjitim dhe kush jo”.

Për këtë arsye, opozita vijon aksionin e saj opozitar në rrugë, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me këtë mazhorancë thekson Paloka.

“Do ketë protestë të enjten. Në 9:30 kemi njoftuar protestë dhe do të ketë çdo të enjte. Do të ketë në çdo rast. Jo të gjitha do ia tregojmë Ramës. Do ia bëjmë surprizë ca gjëra, por absolutisht është ajo që kemi thënë, nuk ka më kthim mbrapa dhe përveç protestave nuk ka mënyrë tjetër komunikimi me këtë mazhorancë”.

Sa i përket zgjedhjeve lokale…

“Vendim politik për të hyrë ose jo në zgjedhje nuk ka akoma, por unë po të them tjetrën që me këtë kryeministër që vazhdon me këmbëngulje, me arrogancë t’u tregojë të gjithëve se ka ndërmend prapë të vjedhë, të grabisë votat siç kanë bërë deri më tani nuk ka zgjedhje në Shqipëri”.

Rruga për dialog hapet vetëm përmes largimit të Ramës dhe 2017-ta ishte provë e kësaj, sipas tij.

“Sigurisht do të vijë në një moment të caktuar me negociata, por jo me Edi Ramën. Për ne janë ndërkombëtarët që duhet të ndërhyjnë, në këtë rast deri te qeveria tranzitore dhe më pas gjithë hapat e tjera do garantojnë që qeveria që do vijë të jetë qeveri që përfaqëson shqiptarët, jo qeveri që përfaqëson krimin apo oligarkinë në Shqipëri”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!