21 Janari, marrëveshja politike dhe SPAK: Ilir Meta, intervistë ekskluzive për Abc News

15:15 | 21/01/202015:150

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dhënë një intervistë për gazetaren e Abc News, Mimoza Koçiu ku për herë të parë ka folur për ngjarjen e 21 Janarit 2011, ku u vranë 4 protestues të opozitës së asokohshme (PS).

Po ashtu, Presidenti foli edhe për aktualitetin politik, siç është tryeza e reformës zgjedhore duke thënë që nevojitet një tryezë me tematikë më të gjerë.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË

9 vjet pas 21 janarit kur Bulevardi Dëshmorët e Kombit u përgjak me 4 viktima, Presidenti i vendit Ilir Meta thotë se qytetarët u keqpërdorën nga politika.

“Ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme. Kjo na tregon se sa e rëndë është situata kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla. Na kujton se duhet të heqim dorë nga dhuna për të arritur qëllime politike”, deklaroi Meta gjatë intervistës në Abc News.

Ndërsa 2020 ka nisur me një paqtim, ku u arrit dakordësia politike për reformën zgjedhore. I pyetur për këtë temë Meta tha se “është hap pozitiv, por i pamjaftueshëm”.

Ilir Meta: Eshtë hap pozitiv sepse përfundimi i reformës zgjedhore është kërkesa e Bundestagut dhe gjithë procesit të kushtëzuar për hapjen e negociatave. Shpresoj të mos ketë surprizë tjetër rrugës. Edhe sikur ky hap të jetë pozitiv, është fare pak edhe teper vonë. Kërkohet një tryezë tjetër shumë e thellë më e përgjegjshme për të plotësuar të gjitha detyrimet. Duhet të shkojë përtej reoformës zgjedhore sepse ajo nuk do të zgjidhë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. 

INTERVISTA E PLOTE:

ABC News:Sot është 21 janari, një datë që nuk është shumë e këndshme me çfarë ka ndodhur nëntë vite më parë.Unë do të doja një reflektim të shpejtë nga ju, si President i Republikës dhe si politikan?

Presidenti Meta: 21 janari është një datë shumë e rëndësishme, sepse është dita e Kongresit të Lushnjes. Ne sot kemi 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje, më e rëndësishmja pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, pasi në vetvete është një rivendosje e pavarësisë dhe e organizimit të shtetit shqiptar dhe e të gjitha institucioneve, por edhe një fillim i parlamentarizmit në Shqipëri. Në këtë drejtim është një nga ditët më të rëndësishme të shtetformimit tonë dhe që na kujton se sa e rëndësishme është që të forcojmë institucionet. Sa i takon 21 janarit tjetër, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme. Dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike.

ABC News: Do të doja të ndaleshim në situatën tuaj aktuale, sepse jeni i pari President për të cilin ka nisur një procedurë shkarkimi. Puna e komisionit hetimor është rritur sërish…

Presidenti Meta: Jam krenar për faktin që jam akuzuar nga një parlament njëpartiak pse kam mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe mbi të gjitha, pse kam mbrojtur pluralizmin politik,themelin mbi të cilin ndërtohet i gjithë sistemi politik dhe shtetëror në Republikën e Shqipërisë, ku bazat janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

ABC News: Është shtuar objekti i komisionit hetimor ndaj jush. Pra palët edhe një herë i drejtohen Komisionit të Venecias. Po i drejtoheni sërish me pyetje të reja, çfarë do të kërkoni tashmë?

Presidenti Meta: Është një absurditet vazhdimi në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese i këtij komisioni hetimor.

Por për mua nuk përbën një shqetësim.

E kam thënë edhe më parë që e mira është ta zgjasin afatin deri në 24 korrik të vitit 2022.

Presidenti mund të shkarkohet apo të hetohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të cilat janë të atij karakteri që mund të cenojnë sovranitetin apo integritetin e Republikës së Shqipërisë.

Presidenti nuk mundet të hetohet kurrsesi apo të shkarkohet për shkak të akteve që ai nxjerr dhe të dekreteve të tij, sepse Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve. Sa ligje dhe sa vendime qeverie, Gjykata Kushtetuese, përpara se të paralizohej, i ka rrëzuar parlamentit apo qeverisë së Ramës?! Me dhjetëra!

Nuk kemi parë që parlamenti të jetë rrëzuar apo qeveria të jetë shkarkuar.

Kjo është një lojë politike që tregon shqetësimin e madh që ka mazhoranca aktuale për qëndrimet mjaft të qarta, kushtetuese, parimore dhe transparente të Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim kjo gjë mua më bën nder.

ABC News: Për çfarë do ta pyesni Komisionin e Venecias, tani pas shtesës së re të hetimit të objektit?

Presidenti Meta: Nuk ka qenë qëllimi im për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias. Por për shkak se Parlamenti ka ndërmarrë një nismë të tillë për të vënë në diskutim sipas tij, kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës, edhe unë isha i detyruar, për të bërë të njëjtën gjë për Parlamentin.

Në qoftë se do të ishit e vëmendshme, Kuvendi ende, edhe pas më shumë se sa tri javë, edhe pse presupozohet se është institucion i përbërë nga forca të ndryshme politike, një institucion transparent dhe jo monokratik, ende nuk ka publikuar të gjithë parashtrimin apo komunikimin zyrtar të Kuvendit me Komisionin e Venecias.

Komisioni i Venecias është i detyruar të vihet në lëvizje nga ana procedurale sa herë që një parlament ia kërkon, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një situatë absurde për arsye sepse nuk kemi se çfarë t’i interpretojmë Kushtetutës kur Kushtetuta e ka shprehur shumë qartë se si ndërtohet Gjykata Kushtetuese, pra e balancuar: tre anëtarë zgjidhen prej Presidentit, tre nga parlamenti, tre nga Gjykata e Lartë. Jo vetëm kaq, por edhe në një radhë të përcaktuar në Kushtetutë. Presidenti emërimin e parë, parlamenti emërimin e dytë, Gjykata e Lartë të tretin dhe pastaj përsëri në këtë mënyrë.

ABC News: A mendoni se po fitojnë kohë? Për faktin se nuk duan të bëjnë shkarkimin tuaj, por po e përdorin si një mjet për t’ju bërë presion?

Presidenti Meta: Së pari nuk ekziston mundësia nga asnjë fuqi në botë që të më bëjë mua presion në raport me Kushtetutën, në raport me ligjin dhe në raport me bindjet e mia politike.

ABC News: Apo nuk e kanë seriozisht?

Presidenti Meta: Kjo vetëm tregon se sa jo serioze është situata në raport me funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Komisioni i Venecias e tha shumë qartë herën e parë se pretendimet e Kuvendit nuk hyjnë kurrsesi në ato raste kur Presidenti mund të hetohet apo të shkarkohet. Kjo është tepër e qartë. Dëshira e tyre është thjesht një vetëdemaskim se ku qëndron burimi i të gjithë krizës institucionale dhe demokracisë në Shqipëri. Në këtë vend, ku kemi një kontroll absolut nga vetëm një parti,të Kuvendit, të pushtetit vendor, të shumicës së gjithë institucioneve të pavarura të kontrolluara nga ky kuvend, dhe një kontroll të plotë të të gjitha instrumenteve të vetting-ut dhe realisht të zbatimit apo të keq zbatimit të vetë reformës në drejtësi, kemi një pengesë që është Presidenti i Republikës, që është një institucion i pavarur dhe njëkohësisht i patrembur.

ABC News: Ndryshe paraqitet situata nga kampi tjetër. Në fakt ju keni këtë situatë në parlamentin me mazhorancës.

Presidenti Meta: Unë e kam situatën shumë të thjeshtë, sepse unë i referohem Kushtetutës dhe vetëm Kushtetutës.

Në çdo rast mund t’jua tregoj në Kushtetutë se të gjitha veprimet e Presidentit janë mjaft solide.

Është Presidenti ai, i cili ka kërkuar bashkëpunim me Kuvendin dhe kjo është e dokumentuar zyrtarisht.

Janë disa shkresa, disa qëndrime publike, janë të gjitha të dokumentuara dhe zyrtare, ku Presidenti ikërkon Parlamentit bashkëpunim që të dyja institucionet të mos përplasen, por të respektojnë Kushtetutën dhe të mos dëmtojnë besueshmërinë e vetë Gjykatës Kushtetuese.

Siç e dimë, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ana e Parlamentit.

Është Presidenti që i ka kërkuar KED-së, dhe në veçanti kryetarit të KED-së, i cili nuk ka asnjë kompetencë nga ato për të cilat ai është kallëzuar penalisht në Prokurori, që të respektojë Kushtetutën, të respektojë radhën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu që të kryejë detyrat e tij që ta ndihmojë Presidentin të mos e shkelë Kushtetutën. Të njëjtën gjë të mos e bëjë as parlamenti dhe askush tjetër në interes të një procesi legjitim dhe të besueshëm të krijimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Presidenti i Republikës gjithmonë ka kërkuar, i ka paraprirë dhe ka bërë gjithçka për të evituar përplasjet dhe për të mos u vendosur as vetë në një pozitë të vështirë në raport me Kushtetutën dhe ligjin, por as institucionet e tjera në këtë rast, që të mos bëjnë një dëm të tillë, i cili tashmë është bërë, jo për faj të Presidentit.

ABC News: Kemi një lajm të mirë që na ndodhi para pak ditësh. Na ndihmoni nëse mund ta lexojmë si të tillë! Retorikat politike të larta për shkak të krizës politike dhe institucionale, dhe pastaj një ditë të bukur, palët u ulën jo për t’u dakordësuar, por për të formalizuar një dakordësi që kishin bërë për reformën zgjedhore. Ky është lajm i mirë? Lajm i keq, një “dezha vy” (ripërsëritje – frëngjisht)? Kujtojmë që në 2017-n situata nuk ishte aq rozë, jo thjesht për Partinë Demokratike, por edhe për LSI-në që ju drejtonit atëhere?

Presidenti Meta: Jemi shumë vonë në raport me procesin e integrimit europian.Të dyja palët duhet të bashkëpunonin prej vitesh, për marrjen e përgjegjësive dhe për të vendosur një dialog të besueshëm e të mirëstrukturuar në interes të çështjeve më të mëdha që ka vendi.

Megjithatë e konsideroj një hap pozitiv, për arsye se përfundimi i reformës zgjedhore dhe miratimi i saj me konsensus, është një nga kërkesat e para të Bundestag-ut dhe të gjithë procesit të kushtëzuar për hapjen e mundshme të negociatave.

Le të shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë surprizë rrugës!

Por edhe sikur të vazhdojë në këtë mënyrë, është fare-fare pak, përveç se është tepër vonë, dhe kërkohet një tryezë tjetër mendoj unë, shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar të gjitha këto detyrime, të cilat janë tashmë të qarta në rezolutën e Bundestag-ut.

ABC News: Ju thoni që të shkojë përtej reformës zgjedhore?

Presidenti Meta: Nuk është se reforma do të zgjidhë ndonjë gjë të jashtëzakonshme.

ABC News: Duhet shkuar përtej?

Presidenti Meta: Ndoshta mund të ishte rruga më e thjeshtë për këtë dialogun që është vendosur. Por është mjaft vonë, dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit janë shumë të mëdha.

Në çdo rast besoj se duhet të ketë një angazhim më të besueshëm dhe më të thellë e më të sinqertë se sa diçka episodike.

ABC News: A i jep një dorë opozita në ndërtimin e kësaj fasade? Nëse nuk funksionon si duhet apo thjesht opozita niset për të realizuar diçka edhe rrugës, nëse mund ta kuptojmë? Si e lexoni ju?

Presidenti Meta: Nuk mund të flas në emër të opozitës. Opozita ka bërë disa veprime, në vlerësimin tim mjaft të gabuara, siç është dorëzimi i mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, pavarësisht se ka pasur të drejtë në kauzat e saj për ndëshkimin e autorëve të blerjes së votave, apo dosjeve zyrtare që flinin në prokurori prej 3-4 vitesh, si ato të Dibrës, të Durrësit, etj.

Rruga që opozita zgjodhi nuk mendoj se i shërbeu vendit, ashtu sikurse edhe mazhoranca, me shumë dëshirë, e shtyu opozitën në atë rrugë, duke dëmtuar rëndë edhe vetë legjitimitetin e saj, edhe të institucioneve kryesore të vendit, përfshirë edhe kuvendin.

Shpresojmë të ketë një reflektim nga të dy palët. Shqipëria është e të gjithëve dhe në këtë drejtim të gjithë duhet të kujdesen.

Shqetësimi kryesor për të gjithë duhet të jetë shpopullimi i vendit.

Përmasat e largimit janë të frikshme dhe të pakrahasueshme me vendet e tjera fqinje.

Kjo është mjaft e rëndë.

ABC News: Të flasim pak për reformën në drejtësi që ne e përdorim si etalon le të themi të përparimit tonë dhe natyrisht me të cilën mburremi kur kërkojmë hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Ju jeni personi që si Kryetar Kuvendi e imponuat këtë konsensus dhe keni histori për kalimin e votimit me 140 votanë korrik të 2016-s, por reforma në drejtësi është akoma në proces. Nuk kemi Gjykata Kushtetues nuk kemi Gjykatë të Lartë, lajm i mirëështë se kemi SPAK, por gjithsesi është në fillimet e veta, ndërkohë na është ushqyer pritshmëria për SPAK. Besoj dhe ju atëherë kur u ndërtua reforma në drejtësi me kalimin e kohës kemi dhe deklaratat e ambasadorëve “peshk i madh, peshk i vogël”, “kush do ta ketë radhën”. A ka frikë Ilir Meta nga SPAK?

Presidenti Meta: Është shumë për të ardhur keq, se në ditën që është bërë betimi i anëtarëve të SPAK-ut, të cilëve edhe unë u kam uruar suksese, madje ka qenë një ditë e mbushur me urime të jashtëzakonshme nga të gjithë, nga Partia Demokratike, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga mazhoranca po e po, nga të gjitha ambasadat në Shqipëri, më ka bërë përshtypje po atë mbrëmje, një sondazh te kolegu juaj Blendi Fevziu te emisioni “Opinion”, ku pikërisht pyetjes, se cilat ishin pritshmëritë e shqiptarëve, a prisnin sukses apo jo nga kjo strukturë e krijuar dhe e pa atakuar publikisht nga askush, përgjigjia ishte: gati ¾ nuk kishin besim.

Mendo sikur të bënim një testim pas kësaj që ka ndodhur me Gjykatën Kushtetuese, pas sjelljes së Kuvendit dhe kryetarit të KED-së, se sa është besueshmëria në opinion e pavarësisë që njerëzit mund të mendojnë se mund të ketë Gjykata Kushtetues në të ardhmen.

Një vend le të ketë Kushtetutë të mirë sa të dojë, nëse ka një Gjykatë Kushtetuese pa integritet, që në atë moment është një vend pa Kushtetutë.

ABC News: Ju mendoni që politikanët do ia hedhin si gjithmonë?

Presidenti Meta: Jo, unë mendoj se po të ishte një tjetër sondazh, “A po politizohet reforma në drejtësi?”, 86 % e shqiptarëve do shpreheshin se mendojnë që reforma në drejtësi po politizohet.

Pse i përmenda këto aspekte?Sepse nuk është e rëndësishme vetëm se çfarë mendon Ilir Meta.

Është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë, që para tre katër vitesh kishin të tjera pritshmëri.

Reforma mori një goditje në zemër, që në momentin që u zgjodh në mënyrë anti-kushtetuese Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, dhe këtu padyshim që përgjegjësia kryesore ishte e mazhorancës, dhe e atyre përfaqësive diplomatike që bënë një noterizim tërësisht anti-kushtetues.

Të gjithë i dimë pasojat gati pas më shumë se dy vitesh,se si kanë ecur hetimet për çështjet më të bujshme.

Shpresojmë që në të ardhmen te ketë rezultate më të mira dhe pozitive, por duket që presioni dhe kontrolli politik nga ana e mazhorancës ndaj drejtësisë është tepër evidente, dhe për njëarsye, sepse praktikisht të gjithë instrumentet e vetting-ut kontrollohen nga qeveria dhe nga parlamenti, i cili është nën kontrollin e plotë të qeverisë aktualisht.

ABC News: A mund të jetë ky kontroll nga qeveria në organet e drejtësisë një arsye për të pasur ju frikë?

Presidenti Meta: Së pari, dua t’ju siguroj për herë të njëmiliontë, që Ilir Meta nuk i druhet dhe nuk i është druajtur asnjëherë asnjë institucioni drejtësie në Shqipëridhe në botë.

Së dyti, frika është një çështje ose arsye që nuk kam pse ta kem, sepse jam i bindur se gjithmonë i jam përmbajtur ligjeve në fuqi në çdo sjellje timen, për më shumë që kam qenë edhe politikani më i monitoruar nga të gjithë.

Frika është një çështje karakteri dhe personaliteti. E kam thënë më parë po e them dhe një herë, dallimi midis atij që ka frikë dhe atij që nuk ka frikë është se ai që nuk ka frikë vdes një herë në jetë, ai që ka frikë vdes përditë. Pra, frika është çështje personaliteti nuk është thjesht një çështje, e cila mund të imponohet me pahir. Zakonisht ata që kanë frikë kalojnë nga gabimi në gabim, ndërsa ata që janë me kurajo dhe kur bëjnë një gabim e pranojnë atë.

ABC News: Më përmendët pak ambasadorët, do të doja t’ju kujtoja, që ju keni thyer një tabu si President, se ambasadorët nuk janë të pakritikueshëm. Keni shigjetuar shumë ashpër në konferencat tuaja për shtyp të fundvitit të kaluar, a keni patur reagim prej tyre? Kujtoj që keni bërë prapë një gjest të rëndësishëm, siç është shpallja “non grata” këtu, në këtë institucion, e ambasadorit të OSBE-së.

Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, se kemi 30 vite në demokraci tashmë. Kemi qenë një vend tërësisht i izoluar, kemi qenë Koreja e Veriut tëEuropës, sepse nuk krahasohet komunizmi jonë me atë në ish-Jugosllavi apo kudo tjetër. Mbaj mend një profesor të Universitetit Bujqësor që më thoshte se në vitin 1991-1992, na vinin ca ekspert të huaj, ku merrnin fonde nga projektet e asistencës teknike. Dihet që Universiteti jonë i Bujqësisëka qenë nga më të mirët në botë në të kaluarën, pavarësisht nga izolimi dhe për arsye qëbujqësia ishte çështje e të gjithë popullit, nuk besoj se e keni harruar! Ky profesori më thotë, “ngaqë kishim dhe adhurim për të huajt dhe ata nuk e njihnin mirë situatën këtu, kishte raste ku kishte programe që na mësonin si mbillet patatja, pra në çfarë lartësie, në çfarë periudhe etj. Dhe ne na vinte zor t’i thoshim: Ore, ne dimë ta mbjellim pataten, se ne pataten e kishim edhe bukë edhe gjellë dhe me atë mbahej gjithë populli.Por, thotë profesori, e kishim të vështirë t’ua thoshim se mos i ofendonim.

Kështu që unë mendoj se pas 30 vjetësh është e rëndësishme qëne t’u qëndrojmë fortatyre vlerave europiane dhe euroatlantike që kemi zgjedhur dhe për të cilat ne i kemi dashur dhe i duam Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, ku ne jemi anëtar. Dhe është e qartë, që të gjitha këto demokraci mbështeten fort në atë që quhet “rule of law”.

Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane vetëm duke u mbështetur fort në shtetin e së drejtës dhe në sundimin e ligjit. Nuk mundet kurrsesi një shtet të eci përpara në bazë të interpretimeve të kujtdo tjetër që nuk mban përgjegjësi në Shqipëri për shkak edhe të mandatit të kufizuar që ka apo për shkak të subjektivizmit të caktuar për arsye të ndryshme.

ABC News: Shpresoni që kjo situatë të ndryshojë me ardhjen e ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila pritet të vijë këto ditë për t’ju paraqitur letrat kredenciale?

Presidenti Meta: Unë mendoj se kjo është një përgjegjësi në radhë të parë e politikanëve shqiptarë dhe e popullit shqiptar.

Vetë populli shqiptar duhet të ndërgjegjësohet më shumë për rëndësinë që ka mbrojtja e Kushtetutës, sepse ajo i garanton mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të përditshme të çdo qytetari në këtë vend.

E kam theksuar edhe më parë, që rruga e vetme që vendi të dalë nga ky rreth vicioz i paaftësisë për të ndërtuar institucione të besueshme, llogaridhënëse dhe që garantojnë gjithmonë mbrojtjen e Kushtetutës, të interesit kombëtar, të interesit publikdhe rrjedhimisht të interesit të përgjithshëm qytetar është rruga e përdorimit të referendumit.

Është një e drejtë që populli shqiptar e ka vendosur vetë në Kushtetutë për t’u shprehur për çështje të veçanta sa herë që qytetarët do ta gjykojnë të arsyeshme për të shprehur vullnetin e tyre.

ABC News:Do doja të ndalesha në një çështje tjetër, që është një shqetësim i këtyre ditëve. Ne si media raportojmë rregullisht shtim të përditshëm të ngjarjeve kriminale, paralelisht po shikojmë edhe lirimin nga burgu të personazheve të njohur të botës së krimit, për të cilët është bërë një luftë e madhe për t’i çuar pas hekurave. Dëgjojmë në një anë edhe Kryeministrin që flet për KÇK-në, por ndërkohë që Kryeministri flet për KÇK-në, lirohet personazhi i radhës i botës së krimit. Ku po shkojmë dhe pse nuk ka një ndjeshmëri, një reagim për këtë çështje?

Presidenti Meta: Përpjekjet për të bërë ligje mbi ligje dhe për të vazhduar të njëjtën retorike, ndërkohë që nuk mbahet përgjegjësi për shumë individë, që janë propozuar në të kaluarën për deputetë, kryetar bashkie, dhe së fundmi kryetar bashkie me të kaluar kriminale apo problematike në raport me ligjin, nuk na çojnë gjatë.

Kërkohet një reflektim i thellë për të rivendosur besimin te ligji dhe natyrisht qeveria ka të drejtën e saj të bëjë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Por, në radhë të parë duhet të jetë vetë shembull në këtë drejtim, pra në drejtim të respektimit të Kushtetutës dhe të ligjit.

ABC News:Kemi këtë vit prapë një lajm të mirë, qëështë kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria. Duket se hezitimi juaj për Gent Cakajn u provua, sepse Kryeministri Rama nuk ia la si përgjegjësi – zakonisht rolin e kryesuesit e merr Ministri i Jashtëm që ka radhën e vendit për Presidencën – por Kryeministri e mori vetë. Madje edhe postin e të dërguarit special nuk ia dha zotit Cakaj për arsyet e tij, por ia delegoi zotit Ditmir Bushati. A keni një ndjesi, le të themi kënaqësi, për faktin se rezervat qëju patët atëherë u reflektuan në këtë lëvizje të Kryeministri Rama? A mendoni se do të arrijë Shqipëria të zgjidhë konfliktet e mëdha dhe sfidat që OSBE-ja ka përpara ?

Presidenti Meta:Së pari, dua t’ju siguroj se nuk jam nga ata të cilët dallohen për një karakter cinik, që gëzojnë apo kanëkënaqësi se dikush po themi ka gabuar apo jo në të kaluarën.

Për mua është e rëndësishme që Shqipëria të bëjë një figurë sa më të mirë në kryesimin e OSBE-së, sepse nuk është lehtë për arsye të ndryshme të shumë krizave që ndodhin në këtë rajon. Por njëkohësisht Shqipëria duhet të reflektojë vlerat më të mira të kësaj organizate dhe në disa aspekte për fat të keq këto janë cenuar dhe unë kam bërë çdo gjë gjatë vitit të kaluar, por edhe në vazhdimësi, që të evitohen.

Për çështjen e zgjedhjeve, sepse zgjedhjet dhe standardet e tyre janë një nga fushat kryesore të OSBE-së, bëra të gjitha përpjekjet që të ishin gjithëpërfshirëse vendore.

Njëkohësisht kërkova edhe ndërmjetësimin e OSBE-së, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të drejtuesve të tjerë, që ta merrnin ata këtë iniciativë për të normalizuar situatën në Shqipëri, gjë që dihet se nga kush u refuzua.

Po kështu, kemi tashmë paketën“anti-shpifje” qëështë një tjetër situatë mjaft problematike, e cila gjithashtu jo vetëm krijon një atmosferë censure dhe auto-censure, por edhe cenon parimet e funksionimit të shtetit të së drejtës, ku organe të karakterit administrativ zëvendësojnë gjykatat. Dhe kjo ka sjellë shumë reagim ndërkombëtar, ndërkohë që dihet përkeqësimi qëShqipëria ka pasur nga shumë organizata ndërkombëtare përsa i takon lirisë së medias, apo të shprehjes.

Është e rëndësishme që Shqipëria të bëjë përpjekjet më të mira për të drejtuar OSBE-në me sukses, kuptohet edhe në bashkëpunim me vendet e tjera të Trojkës dhe vendet e tjera të OSBE-së, por gjithashtu do të jetë shumë më mirë ndërkohë, që të shtojmë edhe përpjekjet e brendshme për të përmirësuar standardet e saj të demokracisë.

ABC News: Flasim pak për Kosovën. Ju dhe Berisha jeni politikanët më jetëgjatë për shkak se keni nisur karrierën qysh në fillim të viteve ‘90 si student i dhjetorit. A mbani mend ndonjëherë edhe si aktor dhe si dëshmitar të kemi patur këto lloj marrëdhëniesh me Kosovën? Kur kemi Kryeministrin e Shqipërisë që padit në gjykatë Kryeministrin e Kosovës…

Presidenti Meta: Nuk do të doja të përfshihesha në këto debate. Është e rëndësishme që politikanët e Shqipërisë në radhë të parë të përpiqen të zgjidhin problemet e Shqipërisë dhe sa më mirë t’i zgjidhin këto probleme janë edhe një shembull pozitiv për politikanët e Kosovës apo për shtetin e Kosovës dhe e njëjta gjë do të thosha edhe në Kosovë.

Ndërkohë që në politikën e jashtme Shqipëria gjithmonë e ka patur dhe do ta ketë në prioritetin e saj kryesor mbrojtjen e interesave të Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon në tërësi, por kurrsesi nga pozita paternaliste.

ABC News: Pra, nuk është lajm i mirë, por mirëështë t’i lëmë vetë ta zgjidhin, kur dy Kryeministra përplasen?

Presidenti Meta:Padyshim që nuk është një lajm jo vetëm pozitiv, por është një gjë tërësisht e panevojshme.

ABC News: Ju e keni thënë dhe e keni përsëritur se do të qëndroni në zyrën e Presidentit të Republikës deri më 24 korrik 2022. Në fakt nuk janë shumë, kanë mbetur 18 muaj. Në politikë nuk duhet thënë asnjëherë kurrë, por Ilir Meta do të qëndrojë në detyrë, do të kërkojë një mandat të ri po do të rikthehet në politikë? Sepse jeni shumë i ri për të dalë në pension. Apo ka një rrugë të tretë?

Presidenti Meta:Nuk kam asnjë plan të mendoj se çfarë do të ndodhë më 25 korrik 2022. Për mua është e rëndësishme që deri më 24 korrik të vitit 2022 në këtë institucion të mbrohet Kushtetuta, të mbrohet interesi kombëtar, të mbrohet interesi publik.

ABC News: Pra, për juve nuk vlen shprehja kurrë mos thuaj kurrë? Që të vendosni ta dorëzoni këtë detyrë para kohe…

Presidenti Meta:E dashur Moza, po të ishte për ta dorëzuar do ta kisha dorëzuar me kohë këtë zyrë në kuptimin e komoditetit për të qenë President i vendit në një situatë të tillë tërësisht absurde. Por e kam thënë që unë këtu jam në mision, nuk jam në detyrë, nuk jam në punë dhe padyshim qëky mision mbaron më 24 korrik të vitit 2022.

ABC News:Por nuk do të dilni në pension politik apo jo?

Presidenti Meta: Nuk e di a e kam bërë moshën e pensionit. Do të flas me sigurimet shoqërore për këtë situatë dhe do t’u kthej përgjigje.

ABC News: Ndërkohë deri atëherë ju do të vazhdoni të keni komunikime me Kryeministrin aktual ose Kryeministrinëe radhës. Kur e keni pasur komunikimin e fundit me zotin Rama?

Presidenti Meta: Unë kam çdo ditë komunikime me qeverinë dhe me përfaqësues të institucioneve shtetërore, edhe të qeverisë. Çdo ditë nga kjo zyrë dërgohen shkresa, dërgohen kërkesa, dërgohen sugjerime në përputhje me detyrat, me përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit.

Pra, unë çdo ditë bashkëpunoj me të gjithë. Se sa bashkëpunojnë të tjerët dhe se si bashkëpunojnë, kjo nuk më mbetet mua për të vlerësuar, por vullneti për bashkëpunim këtej është i përditshëm.

ABC News: Po me Kryeministrin? Mbaj mend që ju keni thënë se ndërruat telefonin dhe se nuk ia kishit më numrin? E gjetët numrin e tij?

Presidenti Meta:Unë këto nuk i mbaj mend. Kryeministri, ministrat, të gjithë janë të mirëpritur në çdo kohë.

ABC News: Kur e keni pasur komunikimin e fundit me zotin Rama?

Presidenti Meta:Nuk e mbaj mend këtë. Kemi shkëmbyer kartolina ndoshta për vitin e ri.

ABC News:Ajo çfarë më çudit, sepse ju thoni që e keni komunikimin me qeverinë, mungon në fakt një kërkesë ndaj jush për të shpallur zgjedhje të parakohshme në Durrës, Vorë, Shkodër. Duket se as ju nuk keni ndërmend ta bëni… apo do të dekretoni një datë zgjedhjesh për këto tre bashki?

Presidenti Meta:Nuk mund të prononcohem për këtë çështje, për arsye se nuk kam ndonjë informacion apo një kërkesë zyrtare nga institucionet përgjegjëse.

ABC News: Pra ju po prisni që zotit Rama t’i mbushet mendja që të komunikojë qoftë edhe nëpërmjet shkresave me ju për këtë çështje?

Presidenti Meta: Unë nuk mund të imagjinoj se çfarë do të bëjnë institucionet përgjegjëse, por Presidenti normalisht vihet në lëvizje kur ka një kërkesë zyrtare, e shikon, e vlerëson dhe mban një qëndrim zyrtar e publik.

ABC News: Shpresojmë që zoti Rama të dëgjojë këtë intervistë. Po me zotin Basha kur e keni patur komunikimin e fundit? Sepse është normale që Presidenti të kontaktojë të gjitha palët.

Presidenti Meta:E kemi patur para pakkohësh, më duket.

ABC News: Ju jeni i kënaqur le të themi nga mënyra se si po zhvillohet aksioni i opozitës?

Presidenti Meta: Nuk është detyra ime të vlerësoj as aksionin e opozitës dhe as aksionet e mazhorancës. Për mua është e rëndësishme qëtë gjithë aktorët t’i përmbahen përgjegjësive që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor, që kanë të bëjnë me forcimin e institucioneve demokratike, të respektojnë rregullat e lojës në demokraci. Pastaj, ato taktikat dhe strategjitë e tyre janë çështje që u takojnë atyre dhe qytetarëve për t’i vlerësuar.

ABC News:Po me zotin Berisha i vazhdoni takimet, që ju thoni se i keni dobësi si pjesë e marrëdhënies suaj të veçantë dhe speciale me Doktorin?

Presidenti Meta:Po, takohemi herë pas here.

ABC News: Dhe ndërsa ju prisni të mbaroni mandatin tuaj presidencial, çfarë ndjesie keni për partinë që e keni krijuar vetë në 2004-n dhe tani e drejton zonja Monika Kryemadhi? Është jashtë parlamentit, jashtë institucioneve.

Presidenti Meta:Ju ndoshta nuk do ta besoni, por nuk kam asnjë ndjesi të veçantë, për arsye sepse unë kam bërë gjithçka për atë parti. Është një parti e krijuar nga hiçi në kuptimin e vështirësive të jashtëzakonshme për krijimin e saj prej gati 15 vjetësh, kështu që është një investim i madh që unë kam bërë si politikan për t’i dhënë mundësinë shumë figurave të reja për të bërë diçka ndryshe në politikë dhe për të gjetur hapësira të afirmimit të tyre. Se si e çojnë ata para këtë investim kjo është një përgjegjësi e tyre, por….

ABC News: Po juve ju dhemb kur e shikoni në këtë situatë?

Presidenti Meta: Jo, për arsye sepse nuk kam bërë asgjë thjesht për LSI-në edhe kur kam bërë LSI-në. E kam bërë si një mundësi për vendin, për të dhënë një rrugë të re, një alternativë të re përtej asaj që unë e kam konsideruar tejet konfliktuale, të dy partive kryesore. Edhe unë kam bërë më të mirën, se sa bëjnë ata kjo është çështje e tyre dhe është çështje e qytetarëve. Nuk është më çështja ime./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono