Bylykbashi-Ramës: Vëzhgues me të drejtë veto-je në komision? Tragji-komedi!

14:10 | 17/04/2019

Ish-bashkëkryetari demokrat i komisionit të reformës elektorale, Oerd Bylykbashi, ftesën e përsëritur të kryeministrit Rama drejtuar opozitës, për të zënë karrigen e vëzhguesit në komisionin e reformës zgjedhore, me të drejtë veto-je, e sheh si aktin e fundit të një drame tragji-komike.

“Halli ku nuk e çon Edi Ramen, të bëj deklarata, ti quaj ftesa. Edi Rama është një njeri që jo vetëm tallet me gjithë shqiptarët por është gati të shkatërroje bazat e bashkëjetesës demokratike në vend. Me një parlament të këtij lloji që bazohet në këtë masakër elektorale, sigurisht që nuk mund të jesh pjesë e tij. Nuk mund të vazhdoje më, ndaj ftesa e Edi Ramës është sa komike aq edhe tragjike pra i gjithë ky kuadër  e bën atë ftesë të pakuptim dhe diçka për tu hedhur në kosh pa u marrë fare në konsideratë”, deklaron Bylykbashi.

Projektvendimin e miratuar në seancën parlamentare të 11 prillit, i ardhur si propozim i mazhorancës, për zëvendësimin në komisionet parlamentare të përfaqësuesve të opozitës, e ka komentuar kështu:

“Një gjë duhet thënë, askush që është sot në atë parlament, nuk mund të përfaqësoje PD, LSI, PR, LZHK. Kështuqë çdo lloj akti që del në parlamentin e Shqipërisë duke zëvendësuar anëtarët e PD, me gjoja anëtarë të tjerë të PD-së, është qesharake dhe e paligjshme”, thotë  ai.

Kjo jo vetëm bazuar në rregulloren e kuvendit, sipas Bylykbashit, por në rastin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, edhe vetë vendimit të Parlamentit.

“Këta njerëz nuk kanë tagër përfaqësimi dhe kaq është çështja. Vendimi i parlamentit flet për një komision bipartizan konsensual, dhe mbushja me elemente që nuk përfaqësojnë askënd politikisht, thyen vet vendimin e parlamentit”, thekson ai.

Sa i përket draftit të ndodhur në tryezën gjysmë bosh të komisionit të reformës zgjedhore, Bylykbashi shprehet se:

“Ai draft nëse sot përfshihet në kod është i paplotë dhe i papërfunduar, dhe nëse do të miratohej sot, do çonte në kaos përgatitjet zgjedhore sepse është i papërpunuar”, deklaron Bylykbashi.

Kush sot vetë-identifikohet si opozitë, për shkak të pozicionit gjeografik në seanca parlamentare, Bylykbashi i komenton se janë individë që do të zhduken vetë nga skena politike.

“Janë individë të cilët do të zhduken shumë shpejt nga jeta politike në vend nëpërmjet votës”, shprehet ai.

Kjo jo vetëm bazuar në aftësitë që ata mund t’i ofrojnë një procesi kompleks si ai i reformimit të kodit apo sistemit zgjedhor, por fillimisht për shkak të mungesës së legjitimitetit përfaqësues, që kërkon ri-konfirmim periodik me votë qytetare, një testi që për Bylykbashin deputetët e rinj nuk i mbijetojnë dot./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono