Avokati Idajet Beqiri ka komentuar protestën e zhvilluar më 20 qershor para Kryeministrisë, duke deklaruar se tubimet e kanë humbur qëllimin e tyre fillestar dhe nuk po arrijnë të bindin qytetarët.
I ftuar në ABC News, Beqiri u shpreh se protesta po mbahet nën ndikimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe se financuesi kryesor i saj është Shkëlzen Berisha. Sipas tij, pjesëmarrja e shoqërisë civile në këto tubime është minimale, ndërsa theksoi se ndryshimi politik realizohet përmes kutisë së votimit dhe shtetit ligjor, e jo përmes thirrjeve për revolucion.
“Ajo që është më e rëndësishme, është fakti që po i gënjen të gjithë mendja, që aspektin që Shqipëria do hyjë në BE. Protestat që po bëhen e humbën qëllimin e vet. Nuk ua mbushin dot mendjen atyre që janë dhe votojnë në Shqipëri. Ti ‘revolucion’ mund të thuash nga mëngjesi deri në darkë, por revolucion është kutia e votimit dhe shteti ligjor.
Problemi është që atje në protestë, për fatin e keq, janë 10% që janë vërtet të rinj, familjarë, që çdo qeverisje ka familjarët e vet. Problemi është se çfarë ngrihet në protestë. Atje është një konglomerat, që nuk merr vesh qeni të zotnë. Këta janë banditët e Saliut. Dy janë ata që po e mbajnë protestën në dorë Saliu me bandën e vet, Shkëlzeni është financuesi kryesor i asaj proteste. Shoqëria civile është xhep tharë”, tha Idajet Beqiri.



