Botërori

PRAG-NDESHJE-ANGLI-BELGJIKE-1280x720.jpg
ent ela12:51 | 14/07/2018

Anglia dhe Belgjika luajnë sot finalen e vogël të Botërorit. Të dyja skuadrat janë të zhgënjyera, por premtojnë se do të japin maksimumin për vendin e tretë

Lodhja është rraskapitëse, por duhet bërë edhe një sforcim.

Anglia dhe Belgjika janë në sprovën e fundit në Kupën e Botës, për fat të keq jo në finalen e madhe, por në atë të voglën.

Do të luajnë për vendin e tretë.

Dy ekipe shumë të fortë, ndër më të mirët në rruzull, shpresojnë të lenë pas zhgënjimin e gjysmëfinaleve të humbura, edhe pse dihet se në fund do të gëzohet vetëm njëra palë.

Thënë kjo, duhet shtuar se do të ketë disa ndryshime.

Trajneri i Anglisë, Sauthgejt, ka lojtarë me probleme fizike si Tripier, Henderson apo Uolker.

Ai premton maksimumin, por paralajmëron edhe rotacionin.

Sauthgejt: Kanë qenë dy ditë të vështira për ne, pasi ishim 20 minuta larg finales së Kupës së Botës. Gjithsesi, lojtarët e mi kanë qenë të pabesueshëm dhe jam krenar që punoj me ta. Ata duan ta mbyllin me sukses këtë turne, një detyrim që e kemi ndaj vetes tonë, por sidomos ndaj publikut anglez. Ne i bëmë ata krenarë, por duhet ta bëjmë këtë deri në fund. Natyrisht, ndaj Belgjikës, nuk do të jetë i njëjti formacion si ndaj Kroacisë, por duam të bëjmë sa më pak ndryshime që të jetë e mundur”.

Belgjika nuk do të ketë asnjë mungesë potenciale, pasi mbrojtësi Mënier u kthye nga pezullimi, por ndryshimet nuk do të mungojnë.

Trajneri Martinez pyetet se çfarë dhurate kërkon për ditëlindje.

“Është shumë e lehtë t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje, – tha ai, – Ne duam që të fitojmë. Vendi i tretë ka rëndësi, edhe për faktin se në një turne të madh, kushdo mban mend më shumë ndeshjen e fundit. Çdo tifoz belg e meriton ta ketë këtë ndjesi në kujtesën e tij. Anglia është një skuadër shumë e shpejtë, shumë dinamike. Është shumë e rrezikshme në goditjet standarde, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin”. /abcnews.al

 

 

finalja.jpg
G. P.15:23 | 13/07/2018

Kupa e Botës nuk është vetëm një sukses sportiv, por edhe ekonomik për Kroacinë. Tifozët ballkanas nuk po i kursejnë shpenzimet, ndërsa ndjekin ndeshjet e ekipit të zemrës.

I gjithë vendi po fluturon nga gëzimi.

Një çmenduri e vërtetë ka përfshirë Kroacinë dhe tifozët saj nuk kanë ndërmend shpejt të zbresin me këmbë në kokë.

Gjithsesi, kjo ndjenjë e rrallë nuk ka sjellë vetëm lumturi e dalldisje, por ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit të vogël.

Faktori i njohur “Kënaqësi” ka bërë që kroatët ta fusin më lehtë dhe më shpesh dorën në xhep.

“Kur luan Kroacia, njerëzit shpenzojnë 30 për qind më shumë, – shkruan faqja e specializuar, “novac.hr”, – që nga fillimi i Botërorit, kroatët kanë ngrënë 9 milionë qebape, dhe më shumë se 1 milionë racione mishi të skarës”.

Ka një dallim mes kroatëve dhe anglezëve.

Plot 5 milionë banorë të ishullit britanik nuk shkuan në punë pas fitores me Kolumbinë.

Në të kundërt, kroatët kanë qenë të detyruar që të punojnë për të financuar shpenzimet e qejfit gjatë Kupës së Botës.

Jo vetëm kaq.

Kroatët, përgjithësisht, i kanë ndjekur ndeshjet nëpër sheshe dhe kafene, por mjaft prej tyre kanë preferuar t’i shikojnë në shtëpi.

Kjo ka bërë që shitja e televizorëve të dyfishohet gjatë Botërorit.

Shumë para janë harxhuar për modelet e flokëve.

Po ashtu, shpenzimet kanë qenë shumë më të mëdha për të blerë fanelën e kombëtares apo suvenire të tjera./abcnews.al

JEHONA-PER-KROACINE-1280x720.jpg
ent ela21:43 | 12/07/2018

Festë e madhe në Kroaci pas kualifikimit për në finalen e Kupës së Botës. Tifozët dhe mediat në delir, ndërsa shpresa është e madhe për të fituar titullin.

Pritja mori fund, radhën e pati harbimi.

Kroacia e gjitha, që nga Zagrebi, Spliti, Dubrovniku apo çdo qytet tjetër u dha pas një entuziazmi që po e bënte të çmendej.

U mund Anglia dhe, në stadiumin “Luzhniki”, në Moskë, futbollistët festuan jo me presidenten, por këtë herë me kryeministrin.

“Kurrë nuk kam parë një ekip kaq të bashkuar sa ky, – theksoi kapiteni Modriç pas suksesit, – merituam gjithçka, por nuk duam të ndalemi këtu. Gjithsesi, nuk mund të festojmë gjatë. Na pret ndeshja më e vështirë në Botëror”.

“Futbollistët e mi nuk janë normalë, –  ishin fjalët e trajnerit Daliç, – nuk është fitorja ime, por e tyre. Besoj se kemi edhe një hap për të bërë. Ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se çfarë kemi bërë, po as bota nuk është e ndërgjegjshme se çfarë mund të bëjë Kroacia”.

Mediat mezi gjetë fjalët për të kushedi sesatën herë.

“Jutarnji List”: Ne jemi kroatë! Të zjarrtët në finale, kombi në delir!

“Veçernji List”: Fitore historike! Kroacia, një dashuri që nuk mund të shuhet!

“Sllobodnja Dalmacija”: Finalja do të jetë e zjarrtë, por që do të thotë edhe finalja do të jetë e jona!

“Sportske Novosti”: Ëndërroni, ëndërroni, ëndërroni! Kroacia në finale të Botërorit!

“L’Ekip”: Fantazmat! Njëzet vjet pas gjysmëfinales së humbur me ne, kroatët na dalin përpara në finalen e Botërorit!

“Marka”: Kroacia mbërrin në Hënë! Një vend me vetëm 800 futbollistë profesionistë, lë botën me gisht në gojë!

“La Gazeta delo Sport”: Finale italiane! Perishiç e Manxhukiç rrëzojnë Anglinë. Në Moskë do të jemi edhe ne!

Rrjetet sociale shpërthyen me tallje.

Në një fotomontazh jepej Mbretëresha Elizabeta II veshur me fanelën e Kroacisë.

Një foto tjetër kishte Mario Manxhukiçin dhe diçiturën “Brexit”.

Fotoja tjetër, “ja mëngjesi i anglezëve, dhe ja mëngjesi i kroatëve”! /abcnews.al

TRADITA-SPORTIVE-KROATE-1280x720.jpg
ent ela19:28 | 12/07/2018

Një Kroaci finaliste e Botërorit nuk mund të quhet rastësi. Shteti i vogël ballkanas ka traditë jo vetëm në futboll, por edhe në shumë sporte të tjerë.

Kanë qenë prej kohësh në hartën e Botës.

Kroatët, finalistët e Botërorit 2018, padyshim mund të mbështeten tek një traditë aspak e vogël.

Jo vetëm për shkak të heroizmit në Botërorin 1998, ku dolën të tretët në botë.

Futbolli i vendit ballkanas ka qenë i shquar që në fillim të shekullit të 20-të, për të arritur tek Dinamo e Zagrebit që fitoi Kupën e Qyteteve Panaire, Ligën e sotme të Europës, në 1967.

Të famshëm yjet e fushës e të stolit, Bobek, Çajkovski, Zebec, Vujoviç, për të mbërritur tek Bobani, Prosineçki e Shukeri.

Basketboll ka qenë po ashtu në kulme botërore, me traditë të paktën që nga Kreshimir Çosiçi.

Cibona e Zagrebit, kampione e Europës në 1985 e 1996, Jugoplastika e Splitit kampione e Europës në 1989, 1990, 1991

Kroacia është ajo e yjeve të koshit si i paharruari Drazhen Petroviç, hero i Cibonës, Realit të Madridit, Nju Xhersi Netsit në NBA.

Numri 1 i kombëtares së Jugosllavisë dhe asaj të Kroacisë.

I jashtëzakonshëm edhe Toni Kukoç, legjenda tjetër e basketbollit, me Jugoplastikën, Benetonin e Trevizos dhe Çikago Bullsat e Majkëll Xhordanit.

Krenari nuk ka qenë vetëm basketbolli.

Kombëtarja e vaterpolit për meshkuj doli kampione olimpike në 2012 në Londër, dy herë kampione e botës, po ashtu kampione e Europës dhe fituese e Ligës Botërore.

Mladost Zagreb u shpall 7 herë kampion i Europës për meshkuj, për klubet, Jug i Dubrovnikut 4 herë, Jadrani i Splitit dhe POSHK-u i Splitit nga një herë.

Në hendboll për meshkuj, Kroacia doli kampione olimpik në 1996 e 2004, kampione bote në 2003, si dhe 4 herë nënkampion bote, e dy herë nënkampion Europe. /abcnews.al

PRAG-FRANCE-BELGJIKE-ABC-1280x720.jpg
ent ela15:26 | 09/07/2018

Franca dhe Belgjika vlerësojnë lart njëra-tjetrën, ndërsa bëhen gati për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Botës. Skuadra franceze cilësohet si favorite.

Ishte madhështore pas suksesit me Uruguajin. E ndjeu edhe trajneri i Francës, Didie Deshamp, i intervistuar gjatë kthimit në hotel.

Deshamp: “Fantastike, mendoj se njerëzit po na presin. Është një kënaqësi e madhe, madje edhe për ju që po më intervistoni, ju po buzëqeshni. Do të jemi këtu edhe për një javë, shpejt vjen ndeshja e radhës”.

Deshamp është motivuesi i madh i favorites për titullin botëror në Rusi, ndonëse kredencialet franceze do të testohen rëndë ndaj Belgjikës.

Ja si mendon Antuan Grizmani.

Grizman: “Jemi ndeshur me Belgjikën në Paris dhe kuptuam se çfarë skuadra ishte ajo. Belgjika ka jo vetëm lojtarë të mëdhenj, por së pari është një skuadër e vërtetë. Ajo luan futboll fantastik. Ndeshja do të jetë tepër e fortë. Objektivi ynë mbetet i njëjti, duam të fitojmë Kupën e Botës, pra duhet të mundim Belgjikën”.

Gjysmëfinale mes dy ekipeve tepër të talentuar, por me një ndryshim. Franca luan mirë kur i duhet, Belgjika përpiqet të luajë bukur gjithnjë. Belgu De Brujn bën analizën e tij.

De Brujn: “Franca është një ekip i jashtëzakonshëm. Natyrisht, kur je në gjysmëfinale vështirë të kesh kundërshtarë të lehtë, por Franca është tepër e fortë. Ka lojtarë të mëdhenj dhe di të luajë futboll. Diferencat janë shumë të vogla”.

Dy ekipet nuk kanë dëmtime, ndërsa është vetëm një pezullim, Mënier i Belgjikës.

Bilanci në total është mië për belgët, por në botërorë Franca i ka fituar të dyja ndeshjet.

Fitorja e Francës jepet me kuotën 2.5, suksesi i Belgjikës vlerësohet 2.95, dhe barazimi 3.2.

Trajneri Martinez, gjithsesi, nuk trembet.

Martinez: “Nëse mund Brazilin mund të fitosh ndaj kujtdo, edhe pse Franca sërish është favorite. Ndaj çdo ekipi tjetër, për të fituar duhet të luash mirë, ndërsa ndaj Brazilit, duhet së pari të kesh besim të patundur se mund të luash mirë dhe se mund të fitosh. Na pret një sfidë shumë e vështirë, por ne kaluam ndeshjen më të vështirë të Botërorit”. /abcnews.al

GOLAT-ME-TE-BUKUR-TE-BOTERORIT-1280x720.jpg
ent ela13:55 | 09/07/2018

Botërori rus ka pasur shumë gola të bukur. ABC News ka bërë një renditje, duke nisur nga rrjeta e Shaqirit ndaj Zvicrës, deri tek mrekullia e Belgjikës kundër Japonisë.

Le ta fillojmë me Dris Mertens të Belgjikës, ndaj Panamasë.

Vazhdojmë me Edinson Kavanin e Uruguajit kundër Portugalisë.

Ja edhe kroati Luka Modriç përballë Argjentinës.

Nuk mund të jetë jashtë Kristiano Ronaldo.

Me krenari, goli i Xherdan Shaqirit ndaj Serbisë.

Një mrekulli, rusi Denis Çerishev kundër kroatëve.

Llogari kampionësh e Toni Krosit me Suedinë.

Raketë balistike kjo e Kutinjos ndaj Zvicrës.

E pamundura bëhet e mundur për Pavarin ndaj Argjentinës.

Së fundi, goli i skuadrës, Naser Çadli i Belgjikës që solli fitoren me Japoninë. /abcnews.al

 

STATISTIKAT-E-FRANCES-1280x720.jpg
ent ela13:44 | 09/07/2018

Franca ka qenë e frikshme në ndeshjet me eleminim direkt në Kupën e Botës. Skuadra e trajnerit Deshamp, ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm në sulm

Harrojeni këtë ndeshje-fantazmë. Tifozët mbetën tepër, tepër të pakënaqur nga Franca, por edhe nga Danimarka pas barazimit të mjerë 0-0 në grup, veçse sot gjendja ka ndryshuar tërësisht.

Me të kaluar fazën e grupeve, skuadra franceze mrekullisht u paraqit tjetër dhe ka një statistikë të frikshme për rivalët. Ndaj Argjentinës dhe kundër Uruguajit, efikasiteti i ekipit të trajnerit Didie Deshamp arriti maksimumin e mundshëm.

Përballë argjentinasve të Lionel Mesit, Franca shënoi plot 4 gola, dhe këtë e arriti me vetëm 4 gjuajtje në portë. Rendiment më të lartë se kaq nuk mund të kishte.

Në çerekfinale, uruguajanët u duk se u mundën fare lehtë, dhe ashtu edhe ndodhi, me një tjetër shembull efektshmërie. Dy gjuajtje në kuadratin e portierit Muslera, dy gola, edhe pse I dyti ishte më shumë për faj të numrit 1 të Uruguajit.

Gjithsej, janë vetëm 6 gjuajtje në portë në dy ndeshje, të gjashta në rrjetë. Belgjika është e paralajmëruar. Mbape, Grizman, Varan apo Pavar nuk dinë të falin. /abcnews.al

JEHONA-E-KROACISE-DHE-ANGLISE-1280x720.jpg
ent ela17:09 | 08/07/2018

Entuziazëm i madh në Angli dhe në Kroaci pas mbërritjes në gjysmëfinale të Botërorit. Besimi është i madh se mund të fitohet titulli

Ndoshta nuk kishin besuar të ishin këtu deri tani. Tifozët anglezë kanë qenë gjithnjë optimistë, janë quajtur shpesh edhe arrogant, veçse kjo Angli I kishte bërë me zemër.

Sidoqoftë, kombëtarja e shpikësve të futbollit është në gjysmëfinale dhe publiku anglez, në Samarë, në Londër apo kudo qoftë, është në delir.

Trajneri Garet Sauthgejt po ashtu është I lumtur, por I përmbajtur.

“Kjo është dita ime më e mirë në karrierën si trajner, – tha Sauthgejt pas ndeshjes, – por ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, duhet të mbetemi këtu edhe për një javë. Suksesi ka ardhur vetëm nga forca e skuadrës”.

Jehona mediatike ishte madhështore.

“Sandi Telegraf”: Përpara! Anglia marshon në gjysmëfinale!

“Indipendet”: Në majë të Botës! Na prit Kroaci!

“Sandi Tajms”: Shpresë dhe lavdi!

“Star Sport”: Ja ku jemi! Ëndërr suedeze, ndërsa Sauthgejti udhëheq 3 luanët në gjysmëfinalen e parë botërore në 28 vjet”.

Vetë skuadra nuk pati kohë për kremtim, por pati një seancë shlodhëse pas fitores ndaj Suedisë.

Lumturi edhe më e madhe në Kroaci.

Futbollistët festuan gjatë në dhomën e zhveshjes, madje duke kënduar këngë që mund t’i kushtojnë, pasi FIFA ka hapur një hetim.

Në ekstazë edhe presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Për tifozët është e kotë të flitet.

Qytetet kroate sikur u dogjën nga festa, më e madhja që nga viti 1998 kur Kroacia arriti për herë të parë në gjysmëfinale të Botërorit.

“Nuk e kam zakon të qaj, por ia vlen pas këtij suksesi, – ishin fjalët e trajnerit kroat, Daliç, – ndaj Rusisë ishte një betejë, por ne nuk jemi lodhur, do të kemi plot energji për Anglinë. Ne nuk duam të ndalemi”.

Mediat kroate nuk mbetën prapa atyre angleze.

“Jutarnji List”: Kroatët nuk dorëzohen! Fitore ndaj rusëve, betejë me anglezët për finalen!

“Sllobodna Dalmacija”: Do të rrëzohen edhe anglezët, do të jemi kampionë! Të zjarrtët mposhtin rusët, rruga për në parajsë është e hapur!

“Sportske Novosti”: Moskë, po mbërrijnë kroatët! Të dashur anglezë, sa të lumtur jemi që ju shohim përsëri! /abcnews.al

ZVICRA-NDESHET-ME-SUEDINE-1280x720.jpg
ent ela14:31 | 03/07/2018

Zvicra dhe Suedia luajnë sot për një vend në çerekfinale të Kupës së Botës. Katër shqiptaro-zviceranë pritet të jenë protagonistë në stadiumin e Shën Peterburgut.

Një duel shkollash futbolli do të luhet sot në Rusi. Zvicra dhe Suedia kërkojnë një vend në çerekfinale të Kupës së Botës, me ndeshjen e orës 16:00, në Stadiumin “Krestovskij” të Shën Peterburgut.

Katër shqiptaro-zviceranë, Shaqiri, Xhaka, Behrami e Xhemaili do të jenë protagonistë pasi besohet se do të jenë titullarë. Zvicra ka dy mungesa të sigurta, të dy mbrojtës, kapitenin Lihtshtajner dhe Fabian Sharin, të pezulluar.

Në vend të tyre pritet të luajnë Lang dhe Zhuru, ndërsa Zuber është në dyshim pasi ka qenë i sëmurë.

Vëmendje të veçantë duhet të kenë Shaqiri, Behrami dhe Zakaria, pasi nëse marrin karton të verdhë, pezullohen në çerekfinale, në rast kualifikimi.

Trajneri Petkoviç, mbetet me besim tek dëshira e skuadrës së tij për fitore. “Mendoj se futbollistët e mi sërish kanë uri për të fituar, dhe nuk do të kënaqen me arritjen deri këtu, – theksoi ai, – ndaj Suedisë nuk do të kemi shumë hapësirë dhe do të duhet të gjejmë mënyrën për të depërtuar në mbrojtjen e tyre”.

Edhe Suedia nuk është pa probleme. Mesfushori Larson është i pezulluar, por gjithashtu është edhe i dëmtuar, dhe në vend të tij duhet të luajë Gustav Svenson.

Suedezët, po ashtu, duhet të bëjnë kujdes me kartonët, pasi të paralajmëruar janë Ekdal, Kleson dhe Lustig.

Suedia jepet lehtësisht e favorizuar për të fituar nga kompanitë e basteve, në një duel që parashikohet të jetë shumë i ekuilibruar. /abcnews.al

brazil.jpg
ent ela15:41 | 02/07/2018

Brazili është favorit për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës në ndeshjen e sotme ndaj Meksikës. Nejmar dhe Kutinjo pritet t’i japin fitoren.

Pritet një sfidë vërtet e bukur.

Dy skuadra të futbollit latin do të jenë përballë në të tetat e Kupës së Botës.

Në stadiumin e Samarës, në Rusi, do të ndeshen Brazili dhe Meksika, me ndeshjen që nis në orën 16:00.

Brazilianët nuk mund të gabojnë, pasi eleminimi do të ishte një dështim tepër i madh, thuajse një tragjedi kombëtare.

Trajneri Tite e di mirë këtë, por shfaqet i qetë.

“Jemi shumë të ndërgjegjshëm për sfidën që na pret, – tha ai, – e njohim mirë realitetin tonë, dhe atë të kundërshtarit. Shpresoj që skuadra të mbajë standardin e dy ndeshjeve të fundit, pse jo edhe më shumë se kaq”.

Felipe Luis do të luajë në vend të Marselos së dëmtuar.

Pjesa tjetër e skuadrës nuk do të ketë ndryshime me dyshen Tiago Silva-Miranda në qendër të mbrojtjes, Kasemiro në mesfushë para mbrojtjes, Paulinjon e Kutinjon pas sulmit, dhe treshen ofensive Uillian-Nejmar-Gabriel Zhezus.

Tek Meksika, Moreno është i pezulluar, ndërsa Lajun është lënë në stol nga trajneri Ozorio.

Në vend të tyre, do të jenë kapiteni Markez dhe Ajala.

Pritet që në fushë të jetë një skuadër shumë e kujdesshme, me 4 ose 5 mbrojtës, si dhe me 5 mesfushorë.

Trajneri Ozorio thekson se “skuadra jonë do të luajë për fitore, pavarësisht se kë kemi përballë, do të hidhemi në sulm, në një detyrë titanike ndaj Brazilit”.

Parashikimet japin si favorit të qartë Brazilin, me koeficient 1.5, ndërsa fitorja meksikane kuotohet vetëm 7.5.

Gjithsesi, eleminimi i Spanjës dhe ai i Gjermanisë në grup treguan se kjo Kupë e Botës jo gjithnjë i respekton parashikimet. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono