Ceremonia e dhënies së çmimeve Nobel në Letërsi për vitin 2018 (Olga Tokarczuk) dhe 2019 (Peter Handke) është shoqëruar nga reagime tepër të ashpra.
Turqia iu bashkua Shqipërisë dhe Kosovës dhe njoftoi se do të bojkotonte ceremoninë, për shkak se nuk mbështetën zgjedhjen e Peter Handke-s, shkrimtari që mohoi gjenocidin e Millosheviçit, të njohur si Kasapi i Ballkanit. Korrespodentët Christinae Amanpour dhe Jeremy Bowen janë shprehur gjithashtu kundër Handke-s duke folur për historitë me të cilat janë përballur gjatë luftës në ish-Jugosllavi.
Shkrimtari boshnjako-suedez Adnan Mahmutovic po organizon protesta në Suedi, në mënyrë që të reagojnë edhe më ashpër kundër vendimit për të vlerësuar Handke-n me çmimin më prestigjoz në letërsi.
“Shpresojmë që zërat tanë të ndihmojnë që të fillojmë një dialog rreth pasojave të mohimit të gjenocidit, gjë që ka vazhduar ndër dekada,” tha ai. “Gjenocidi nuk është një ngjarje, por është një proces, faza e fundit e të cilit është mohimi. Nuk mund të lëmë Nobelin që ta legjitimojë atë.”
Shën.red. Gjenocid – Shfarosja e plotë a e pjesshme e një popullsie ose e grupeve të veçanta kombëtare.
Javën e kaluar, Peter Englung, një anëtar i Akademisë Suedeze, u shpreh se do të bojkotojë ceremoninë, duke thënë: “Të festosh çmimin Nobel të Peter Handke-s është një hipokrizi nga ana ime.”
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, tha në media se “Nobeli nuk ka vlerë” për aq kohë sa iu dha një njeriu që mohoi gjenocidin dhe nuk respekton të drejtat e njeriut. Ambasadori i Turqisë në Suedi njohtoi gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në ceremoni.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, udhëzoi ambasadorin shqiptar në Suedi që të bojkotonte ceremoninë, veprim ky që u ndoq edhe nga Kosova dhe SHBA. Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në SHBA, tha se “zgjedhja e Handke-s është një vendim prekës dhe i turpshëm”.
Gazetarët që mbuluan luftën në Bosnje po protestojnë gjithashtu kundër fitores së shkrimtarit austriak, duke shpërndarë edhe hashtagun #BosniaWarJournalist.
Reporterë të BBC e New York Times kanë folur së fundmi duke vënë në dukje krimet makabre të Sllobodan Millosheviçit.
Kujtojmë që pak ditë më parë, dy anëtarë të jashtëm të komitetit të çmimit Nobel në Letërsi deklaruan dorëheqjen, ku një prej tyre, Gun-Britt Sundstrom, u shpreh se nuk pajtohej aspak me idenë që “letërsia qëndron mbi politikën”. Sipas saj, Handke nuk e meriton çmimin më të rëndësishëm në letërsi, për shkak të së kaluarës aspak të ndritshme.
Handke ka mbajtur një qëndrim pro-Serbisë përsa i përket Luftës Jugosllave dhe bombardimeve të NATO-s, që sollën pavarësinë e Kosovës dhe vendeve të tjera nën udhëheqjen serbe, gjë që kanë ndikuar që figura e tij të shihet me kritika duke u përshkruar si përfaqësuese e nacionalizmit ekstrem serb.
Në të kaluarën, ai ka sulmuar mediat perëndimore duke i akuzuar për keqpërfaqësim të shkaqeve dhe pasojave të luftës. Me po të njëjtat tone, ai ka shkruar edhe kundër bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.
Ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç, i njohur si “kasapi i Ballkanit”, kërkoi që Handke të thirrej si dëshmitar i tij mbrojtës në Gjykatën Penale për Krimet e Luftës së ish-Jugosllavisë, por shkrimtari nuk pranoi. Ai shkoi në gjykatë si spektator. Handke mori pjesë në funeralin e Millosheviçit në 2006-n, ku mbajti një fjalim./abcnews.al