Zyrtari i lartë gjerman: Partitë të pranojnë vendimin e Presidentit

schedule15:10 - 9 Qershor, 2019

schedule 15:10 - 9 Qershor, 2019

Gjermania i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të pranojë vendimin e presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve lokale. Përmes një deklarate, ligjvënësit gjermanë kanë deklaruar se më parë duhet të ndodhë pajtimi ndërpartiak dhe më pas të shkohet në procesin zgjedhor.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocialist në Parlamentin gjerman, Johan David Vadephul i ka sugjeruar klasës politike shqiptare që të pranojë vendimin e presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve.

Vadephul: “Pas këtij vendimi të presidentit ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike”.

Sipas Vadephul, çdo lëvizje tjetër do të ishte anti-europiane dhe do të forconte dyshimet mbi procesin e integrimit. Ndërsa me pranimin e vendimit të presidentit krijohet një bazë e re për një bashkjetesë paqësore mes rivalëve politikë.

Vadephul:Në Europë çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike dhe çdo opozitë një qeveri efikase. Ky është një aspekt kyç për një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik”.

Vadephul ka shtuar se, nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë për të arritur Europën, atëherë Gjermania do ta mbështesë. Vendimi i presidentit Ilir Meta, ditën e shtunë, erdhi pas një vizite në Berlin ku zhvilloi takime me deputetë të shumtë të Bundestagut, mes të cilëve zotin Vadephul. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!