U paralajmërua dje dhe sot erdhi zyrtarizimi. Behar Ramadani ka lënë Vllazninë dhe është transferuar në Kosovë, ku do mbrojë ngjyrat e Drenicës. Lajmin e njofton vetë klubi, që e konsideron një afrim të rëndësishëm 30-vjeçarin nga Shkodra.
Ramadani ka firmosur kontratë deri në fund të edicionit, me opsionin e rinovimit edhe për një sezon tjetër me skuadrën e Bledar Devollit. Ramadani pritet të jetë një nga lojtarët kryesorë të Drenicës pas nisjes së fazës së dytë të IPKO Superligës së Kosovës.
POSTIMI – Behar Ramadani, përforcimi i parë i ekipit! Mesfushori difenziv Behar Ramadani, zyrtarisht është lojtar i FC Drenica! Ai sot në ambientet e klubit është prezantuar dhe i është bashkuar ekipit në stërvitje. Ramadani luan në pozitën e mesfushorit dhe së fundmi ka qenë lojtar i Vllaznisë nga Shkodra.
Mesfushori ka nënshkruar kontratë me klubin deri në përfundim të këtij sezoni, me mundësinë e rinovimit. Behar Ramadani është përforcimi i parë në këtë afat kalimtar (merkato), kurse klubi gjatë ditëve në vijim do të prezantojë edhe prurjet tjera! /abcnews.al