Zyrtare: Italia hap stadiumet, 17 mijë tifozë në “Olimpico” për Itali-Turqi

schedule19:37 - 13 Prill, 2021

schedule 19:37 - 13 Prill, 2021

Lajm i mirë për futbollin italian. Më datë 11 qershor fillon Euro 2020 dhe sfida e parë është programuar të luhet në stadiumin “Olimpico” të Romës. UEFA ka kërkuar që në stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet, të krijohet mundësia që 25% e kapacitetit të mbushet me tifozë.

Si pasojë e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e koronavirusit, autoritetet italiane nuk kishin dhënë leje për praninë e publikut në stadiume, duke rrezikuar që sfida hapëse e Euro 2020 të transferohej në një shtet tjetër.

Një gjë e tillë nuk do të ndodhë, Itali-Turqi do të zhvillohet në “Olimpico”, që do jetë i mbushur me 25% të kapacitetit që ka. Stadiumi i njohur mban 70.634 tifozë, kështu që në duelin e parë të Europianit pritet të jenë të pranishëm mbi 17 mijë tifozë.

 

Qeveria e vendit fqinj i ka dërguar një letër presidentit të FIGC (Federata Italiane e Futbollit), Gabriele Gravina, aty ku konfirmohet hapja e stadiumit të kryeqytetit me 25% të kapacitetit për duelin Itali-Turqi.

Kreu i futbollit italian e ka përshëndetur një gjë të tillë. “Konfirmimi nga qeveria për praninë e publikut në Romë për Euro 2020 përfaqëson një lajm të shkëlqyer, të cilin do ia transmetojmë menjëherë edhe UEFA-s.

Unë do të doja të falënderoja kryeministrin Draghi dhe qeverinë e tij, Ministrin e Shëndetësisë, Speranza, por mbi të gjitha Nënsekretaren Vezzali, e cila shprehu mbështetjen e saj të plotë për realizimin e kësaj ngjarjeje të madhe“, deklaroi Gravina. /abcnews.al