Zykaj: Jemi në një moment vendimtar të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

schedule19:18 - 24 Qershor, 2022

schedule 19:18 - 24 Qershor, 2022

Gazetarja Erisa Zykaj, në një lidhje me “Skype” me emisionin “Ballkan” në Abc të gazetares Linda Karadaku, ka folur për “kthesën” e madhe në Bruksel, ku mesa duket do të ketë një lajm të mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave, pasi një ditë më parë u duk sikur edhe këtë vit nuk do të kishte çelje negociatash.

Zykaj tha se ndodhemi në një moment vendimtar të procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Ndodhemi në një moment vendimtar të procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Pas votimit pro heqjes së vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut me shumicë të gjerë në parlamentin bullgar, rruga duket e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të ecur përpara në rrugën e tyre të integrimit Europian. Ndërkohë, përfaqësues zyrtarë të Maqedonisë së Veriut kanë deklaruar, se e konsiderojnë propozimin e votuar nga Bullgaria si të papranueshëm. Por Bashkimi Europian mbetet optimist për finalizimin e propozimit lidhur me kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut. Nga burimet e Bashkimit Europian, konsiderojnë, se mund të ndërtohet terreni, që edhe Maqedonia e Veriut të afrojë qëndrimin e saj me propozimin bullgar”, tha Zykaj.

Gjithashtu Zykaj solli në kujtesë edhe përgjigjen e presidentit të Francës Emmanuel Macron dhënë për Abc mbrëmjen e së enjtes, i cili ishte i pari që dha lajmin optimist për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zykaj tha se në konferencën për shtyp në ditën përfundimtare të samitit europian të 23 dhe 24 qershorit, presidenti  francez, Emmanuel Macron ka përshëndetur votimin në parlamentin bullgar, që hap rrugën për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe duke bërë këtë hap edhe rrugën për Shqipërinë.

Në orët në vijim do vazhdojmë me detajet teknike që të finalizojë një marrëveshje në ditët që vijnë. Makineria e Bashkimit Europian këtu është gati të punojë për aprovimin e vendimit zyrtar dhe të zbatojë atë që mund të vendoset” ka deklaruar presidenti francez Macron.

/Abcnews.al/