Kryeministri Rama u ndal gjatë mbledhjes së grupit parlamentar te PS te debati i zhvilluar rreth projektit në Zvërnec, duke e cilësuar atë si një shembull të mënyrës sesi funksionon sot opinioni publik në epokën e algoritmeve dhe rrjeteve sociale.
Ai tha se reagimi global ndaj çështjes së Nartës dhe Zvërnecit nuk lidhej me analizën e projektit, por me përfshirjen në debat të emrit të Jared Kushner dhe lidhjen e tij me presidentin amerikan Trump.
Ai tha se miliona njerëz që nuk dinin as ku ndodhet Zvërneci krijuan qëndrime për projektin jo mbi bazën e fakteve, por të emocioneve dhe bindjeve politike.
Sipas tij, një projekt zhvillimi u kthye brenda pak ditësh në pjesë të një lufte ideologjike globale.
“ Deri dje zhvillohej egërsisht nën hundën e pandjeshme të botës masakra më e përgjakshme mbi shpendët dhe kafshët e gjora që vriteshin për epshin shtazarak të mijëra gjuetarëve. Të ishte për botën, 10 vite më parë flamingot nuk shtegtonin.
Bota nuk u zgjua nga fati i Nartës, por nga Jared Kushner dhe vjehrri i tij që urrehet nga gjithë bota. Bulevardi përputhi atë armatë të frikshme me armatën e urrejtësve shqiptarë ndaj meje dhe jush. I gënjeu mendja fuqishëm që çadra lokale do bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra e Lulit. Do laheshin dy hesape: bota e madhe do turpëronte Trump-in, ndërsa armata e influencerëve, urrejtësve dhe mercenarëve digjitalë do shpëtonte Shqipërinë nga unë.
Miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërneci dinin se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin, jo se analizuan projektin, por se te brishtësia e një zogu panë rezistencën anti-Trumpiste dhe gjetën valvulën e shfryrjes së një mllefi total.
Ky është mekanizmi i kësaj historie. Kjo kohë transporton zemërime, identitete politike, agresione dhe gënjeshtra shumë më shpejt se transporton fakte. Një projekt zhvillimi u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjike. Shqipëria u bë zogu dhe u gjetëm në mes të saj.
Kjo është risia e kohës ku jetojmë: algoritmi dhe emocioni mbërrijnë përpara fakteve. Kjo është një histori paralajmëruese për demokracinë në epokën e algoritmit dhe nevojitet që ne të parët, me përgjegjësinë e mandatit, ta lexojmë këtë histori sa më drejt dhe të jemi të përgatitur për në vijim, sepse nuk është vetëm fillimi.
Kjo kohë ka sjellë këtë mekanizëm të ri dhe ne mund të bëjmë vetëm atë që është për ta kuptuar më mirë.”



