Zv/sekretarja e Përgjithshme e NATO-s vizitë zyrtare në Tiranë

schedule20:16 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 20:16 - 14 Dhjetor, 2018

Shqetësimin për vendimin e Kosovës për krijimin e Ushtrisë, numri 2 i NATO-s e shprehu në Tiranë, pas takimeve që zhvilloi me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe ate të Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Vendimi i institucioneve të Kosovës nuk duhet të rrisë më tej tensionet në rajon. Është kjo këshilla që jep zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s nga shqipëria ku ndodhet për një vizitë zyrtare.

Rose Gottemoeller, zv/sekretare e Përgjithshme e NATO-s: “Institucionet e Kosovës njoftuan miratimin e tre ligjeve të reja që iniciojnë procesin e tranzicionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg ka thënë se ne na vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të NATO-s. Në të njëjtën kohë unë dua të theksoj se të gjitha palët duhet të sigurojnë që ky vendim nuk duhet të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët e përgjegjshëm politikë në rajon duhet të fokusohen mbi përparimin me reforma dhe dialog”.

Në krah të saj ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka e përshëndeti duke e cilësuar vendim historik.

Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes: “Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, dua të përshëndes këtë vendim historik që do t’i shërbejë frymës euroatlantike dhe paqes në rajon. Njëherësh vlerësojmë vendosmërinë e Autoriteteve Kosovare për të vazhduar bashkërendimin e ngushtë me Aleancën si dhe politikën e dyerve të hapura”.

Para se të nisë pushimet e dimrit, zëvendës sekretarja e përgjithshme e Nato-s është ndalur në Shqipëri për të diskutuar cështjet që kanë të bëjnë me sfidat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Aleancës.

Rose Gottemoeller, zv/sekretare e Përgjithshme e NATO-s: “NATO,është angazhuar për të kontribuar në sigurinë e Shqipërisë. Ne kemi ndërmend të investojmë 51 milionë euro për të modernizuar bazën e forcave ajrore në Kuçovë dhe ky investim prek sidomos aspektin me furnizimin me karburant apo anë të tjera logjistike. Ky projekt synon për të modernizmin dhe rrit nivelin e sigurisë”.

Zv.sek e përgjithshme e NATO-s është takuar më herët me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati. Kreu i diplomacisë shqiptare deklaroi se Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me NATO-n.

Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme: “Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej, në mënyrë që rrezja e stabilitetit të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacënueshme”.

Zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s vlerësoi projeksionin pozitiv që ka Shqipëria për shpenzimet në fushën e mbrojtjes, bazuar mbi angazhimet e samitit të Uellsit dhe hartën e rrugës që u ra dakord në samitin e qershorit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!