Bojan Zogovic është një nga pikat e forta të Vllaznisë. Portieri malazez është paraqitur mirë në fillim të këtij sezoni, me përjashtim të sfidës me Tiranën që edhe ai vetë e pranon se gaboi te goli i pësuar. Në fakt e panë të gjithë dhe fati i tij ishte që Vllaznia fitoi. Në konferencën e sotme për shtyp ai foli për kalimin tek ekipi shkodran, nisjen që i kanë bërë kampionatit, faktin që pësojnë pak dhe për sfidën me Kukësin dhe tifozët kuqeblu.
TRANSFERIMI TE VLLAZNIA – “Jam prej tre muajsh këtu dhe jam përshtatur mirë me skuadrën dhe ambientin. Kam ardhur tek një klub shumë i madh dhe nga informacionet që kam marrë e di që me të kanë luajtur edhe disa lojtarë të tjerë nga Mali i Zi. Kam ardhur për të lënë një shenjë tek ky klub”.
NISJA E KAMPIONATIT – “E kemi nisur sezonin shumë mirë dhe kemi marrë 10 pikë në 4 ndeshjet e para dhe ne e kemi në dorë ta ruajmë këtë atmosferë shumë të mirë që ekziston tani tek skuadra jonë. Prandaj shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme”.
GOLI NË KLASIKE – “E kam vuajtur gabimin ndaj Tiranës, por për fat ajo ndeshje u fitua nga ne dhe çdo gjë u kalua ashtu si duhet. Kam patur një dëmtim në dorë para dy javësh dhe ai thuajse ka kaluar tashmë, por kjo nuk më ka bërë asnjëherë të mendoj që të mos jem në portë”.
MBROJTJA – “Skuadra po luan mirë dhe nëse kemi pësuar vetëm 2 gola në 6 ndeshje, kjo do të thotë se kemi bërë mirë në lojën difensive. Në radhët tona kemi lojtarë me përvojë dhe për rrjedhojë eksperienca e tyre na ka ndihmuar të arrijmë këto rezultate dhe të pësojmë pak gola.
KUKËSI DHE TIFOZËT – “Sa i takon ndeshjes me Kukësin, e dimë rëndësinë e saj dhe mund të them se do të vdesim në fushë për të marrë një tjetër fitore. Tifozët? Kam dëgjuar se tifozët e Vllaznisë janë shumë të zjarrtë dhe më vjen keq që ata nuk i kemi në stadium. Besoj se ai do të ishte i mbushur dhe kjo do të ishte diçka shumë e mirë edhe për ne futbollistët”, përfundoi Zogovic. /abcnews.al