Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Zjarret në vend/ Mbrojtja: 5 vatra aktive dhe 6 nën mbikëqyrje, situata paraqitet e përmirësuar

schedule15:15 - 26 Gusht, 2026

schedule 15:15 - 26 Gusht, 2026

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 të 26 gushtit, në të gjithë vendin janë raportuar 18 vatra zjarri. Aktualisht, 5 vatra mbeten aktive, 6 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 7 janë shuar.

Në Ballenjë të Dibrës vijon të jetë aktive një vatër në zonën e mbrojtur Ballenjë–Kostenjë, ku janë angazhuar 6 forca të ADZM Dibër.

Në Qafë të Helmës, Bulqizë, zjarri është zgjeruar për shkak të intensitetit të erës, duke përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për përballimin e situatës janë angazhuar 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat e tjera bashkiake. Në të dyja rastet nuk ka rrezik për zonat e banuara.



Në Malin e Dardhës, Librazhd, vijon puna për shuarjen e zjarrit në sipërfaqe pyjore, ndërsa në Malin e Qukësit, Prrenjas, është evidentuar riaktivizim i vatrës, ku vijon djegia e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.

Një tjetër vatër është riaktivizuar në Shashicë–Vodicë të Vlorës, në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Zjarri ndodhet në një zonë të largët dhe të paarritshme për forcat dhe mjetet, ndërsa nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë Mollës, situata paraqitet e përmirësuar. Pas reshjeve të shiut të regjistruara në zonë, vatra do të mbahet nën mbikëqyrje për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.

Ndërkohë, në Abaze të Krujës, vatra është izoluar plotësisht dhe zona po monitorohet. Në Bershi–Patin, Klos, zjarri është vënë nën kontroll të plotë dhe po mbahet nën vëzhgim nga shërbimi pyjor.

Në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun të Pukës nuk ka më vatra aktive, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet përgjithësisht e përmirësuar dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!