Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Zjarret në Shqipëri/ 24 vatra të raportuara, 4 mbeten aktive, Ministria e Mbrojtjes jep detajet

schedule21:32 - 26 Gusht, 2026

schedule 21:32 - 26 Gusht, 2026

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit për situatën e zjarreve në vend, duke raportuar 24 vatra zjarri gjatë ditës së sotme, 26 gusht.

Sipas njoftimit, deri në orën 20:00, katër vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë të tjera janë nën mbikëqyrje. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Në Qafën e Helmës, në Bulqizë, vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren ndodhen 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat bashkiake. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.



Në Malin e Dardhës, në Librazhd, zjarri vijon të djegë në brendësi të terrenit, kryesisht në humus dhe trungje të dekompozuara. Edhe në këtë zonë nuk raportohen rreziqe për banesat.

Në Malin e Qukësit, në Prrenjas, ekipet po punojnë për shuarjen e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda zonës së prekur nga zjarri. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Drashovicë të Selenicës, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren janë një mjet zjarrfikës dhe tre efektivë të MZSH Selenicë. Edhe këtu nuk ka rrezik për banesat.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata është përmirësuar në disa prej vatrave të tjera.

Në Malin e Dajtit, reshjet e shiut kanë izoluar vatrat e zjarrit, ndërsa zona do të vijojë të mbahet nën mbikëqyrje. Gjatë ditës, në operacion u angazhuan 38 forca operacionale bashkiake dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura.

Edhe në Sarandë situata paraqitet e përmirësuar. Zjarri në kurorën e qytetit është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së MZSH-ve, Policisë, FNSH-së, forcave bashkiake dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura. Zona vijon të monitorohet nga strukturat përkatëse.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!