Një zjarr masiv ka shpërthyer në sektorin e ngarkesave të Aeroportit Ndërkombëtar Hazrat Shahjalal të Bangladeshit në kryeqytetin Dhaka, duke pezulluar të gjitha fluturimet dhe operacionet e uljeve të avionëve.
Tymi i madh ka përfshirë zonën, veçanërisht në sektorin e ngarkesave, ku ruhen kryesisht mallrat e importuara. Zyrtarët e aeroportit dhe shërbimit zjarrfikës njoftuan se 36 njësi zjarrfikësish u bashkuan në luftën për të shuar zjarrin, ndërsa pesë njësi të tjera ishin në rrugë për t’u bashkuar me përpjekjet.
Ushtria, forca ajrore dhe marina e Bangladeshit, së bashku me dy toga të Rojës Kufitare, u bashkuan gjithashtu në operacionet e shuarjes së zjarrit.
Sipas raportimeve televizive lokale, disa njerëz, përfshirë zjarrfikësit, u plagosën në përpjekjet për shuarjen e zjarrit.
Detaje të mëtejshme lidhur me shkakun e zjarrit dhe numrin e të lënduarve nuk janë dhënë ende.
Duke cituar rojet e sigurisë, televizioni lokal ‘Channel24’ tha se një sasi e madhe veshjesh, së bashku me mallra të tjera, ishin përfshirë nga zjarri në sektorin e ngarkesës. Shpërthime të kimikateve në kanaçe u dëgjuan gjithashtu, duke intensifikuar zjarrin.
Incidenti i sotëm ndodhi vetëm disa ditë pasi këtë javë shpërthyen dy zjarre masive në dy fabrika në Dhaka dhe qytetin port Chattogram, përfshirë ajo në fabrikën e veshjeve në lagjen Mirpur të kryeqytetit ku u vranë të paktën 16 persona



