Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku theksoi se Serbia ka menduar se mund ta aneksojë lehtësisht veriun e Kosovës me sulmin e kryer pak ditë më parë në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic dhe disa terroristë.
“Sa i përket agresorit të Serbisë në Kosovë, mendoj se nëpërmjet grupeve terroriste ushtarake kemi një polic i vrarë dhe që synimi i tyre ka qenë aneksimi i pjesës veriore dhe që kanë menduar se lehtësisht do ta aneksojnë por duke falenderuar policisë së Kosovës dhe veprimit të shpejtë, në koordinim me NATO-n dhe KFOR, ia kemi dalë në mënyrë të shkëlqyeshme të menaxhohet situata.
Lind mjaft hapësirë për të diskutuar se si u liruan terroristët sepse nëse janë grup terrorist si mund të lejohen dhe këtu del në pah edhe mashtrimi i shtetit serb se nuk ka pasur lidhje sepse të hapet kufiri në atë anë në Serbi dhe të lejohen terroristët të kalojnë domethënë që kanë qenë të koordinuar shteti serb që ka bërë agresion në shtetin e pavarur të Kosovës nëpërmjet këtyre grupeve terroriste dhe flitet që ka pasur edhe eprorë ushtarakë.“, theksoi ai.
I pyetur nga gazetarja për një zgjidhje afatgjatë mes dy vendeve, Lekaj theksoi se duhet të jetë politike. Ai theksoi se duhen respektuar të drejtat e minoritetit serb në veri në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por kurrsesi nuk duhet lejuar që të krijohen kompetenca dhe autonomi e tyre.
“Zgjidhja duhet të jetë politike në tavolinë. Prandaj nuk guxojmë të mendojmë që së pari të lejojmë Serbinë që të mendojë luftë në veri por duhet të veprojmë me zgjidhje politike, duke respektuar të gjithë të drejtat e minoritetit. Kjo nuk do të thotë që ne të krijojmë një asociacion me kompetenca ekzekutive apo në nivel të tretë qeverisës dhe që po paramendoni nëse serbët do të kishin autonomi serbët, çka kishte me ndodhur me 24 shtator. Prandaj ne duhet të jemi të vëmendshëm që të japim të gjitha të drejtat që i trajtojnë komunitetit duke respektuar kushtetutën dhe ligjet dhe të mos jetë diskriminues. Por në asnjë mënyrë nuk duhet të rrëshqasim që të krijohet një autonomi substanciale e serbëve në veri. Veriu është pjesë e Kosovës dhe ashtu duhet të mbetet por ne duhet t’i japim përparësi zgjedhjes politike. “, përfundoi Lekaj./abcnews.al