Kryeministri Edi Rama ka folur sot në lidhje me procesin e reformës zgjedhore gjatë një komunikimi me gazetarët.
Rama tha se zgjedhjet nuk fitohen me ligjin e reformës zgjedhore apo ndryshimin e sistemit. Ai tha se është i hapur për diskutimet që pritet që të rinisin pasditen e sotme pas kushteve të opozitës, por shtoi se i vjen keq që për konsensusin po ndërhyjnë sërish ndërkombëtarët, pasi duhet ta kishin mbyllur vetë.
Rama tha se palët politike duhet t’i zgjidhin vet problemet e brendshme, ndërsa shtoi se i vjen keq që ambasadorët ende “hyjnë e dalin nëpër seli partish për të bërë marrëveshje.”
“Ka një sugjerim të kthyer në kërkesë që më pas është përfshirë në një dokument për një kusht. Një draft që do votohet në Parlament. Mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR që nuk është ndonjë shkencë.
Rekomandimi ka qenë për depolitizim të administratës zgjedhore, jemi të hapur. Në këtë proces për të ndihmuar janë përfshirë edhe ndërkombëtarë partnerë prandaj nuk dua të flas para dëshmitarëve. Ajo që na duhet është të bëjmë sa më pak polemika e lagu se lagu dhe të përpiqemi për produktin më të mirë. Besojmë produkti është aty, i plotëson kushtet.
Të gjitha palët kërkojnë gjithçka, ka palë që mendojnë se me ligjin e Reformës fitohen zgjedhjet. Nuk është e vërtetë, apo ky sistem, apo ai sistem që i imagjinojnë se do bëjnë të paimagjinueshmen. Ka dëshmitarë.
Por më vjen keq që në 2020 duhet të kenë ende ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër seli partish për të bërë marrëveshje. Apo një diskutim mbi rregullat e lojës. Duhet ta kishim bërë prej kohësh vetë këtë. Por meqenëse palët e tjera që kanë nevojë për këtë apo për garanci. Bëmë gjënë e duhur për të lehtësuar komunikimin”, tha Rama. /abcnews.al