Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur marrëveshjen e arritur me opozitën parlamentare.
Në një komunikim për mediat Rama theksoi se marrëveshja e 5 qershorit do të miratohet me 23 korrik.
“Marrëveshja e nënshkruar sot duhet të kthehet në materie ligjore dhe kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Po ashtu ai theksoi se nuk duhet humbur kohë pasi sipas tij marrëveshja e 5 qershorit ka një rëndësi edhe për shkak të futjes së teknologjisë si proçes.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:
“I kënaqur sepse kemi arritur një konsensus të gjerë edhe pse jo total për të votuar më 23 korrik marrëveshjen e 5 qershorit. Nga ana tjetër kemi arritur një konsensus të plotë, jo vetëm për votuar hapjen e listave, por edhe për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës së bashku me opozitën jashtëparlamentare, që do të thotë se do të ishte mirë të mblidhet Këshilli Politik.
Kemi hapur një diskutim dje dhe tani jemi në kushtet kur duhet të diskutojmë konkretisht. Opozita parlamentare kërkonte kur do të votohej marrëveshja dhe nga ana tjetër kemi nevojë të bashkëveprojmë se si do të implementohet në Kodin Zgjedhor votimi i 30 korrikut.
Kemi bërë debat sidomos me Murrizin sepse nuk e njeh marrëveshjen e 5 qershorit ndërkohë kemi pasur sinjale pozitive nga dy grupet e tjera. Sidoqoftë kam bindjen që do ta kalojmë ligjin pavarësisht faktit, që siç e dinë të gjithë, që në anën e opozitës parlamentare nuk ka një informacion të unifikuar.
Ne do të vazhdojmë të punojmë, nesër do të miratohet futja në rendin e ditës. Kjo është marrëveshja dhe e kam thënë edhe më parë është Parlamenti që ka të drejtën të vendosë për gjithçka, që është përtej kornizës së 5 qershorit. Uroj që të mblidhemi që nesër në Këshillin Politik.
Nesër ne do të jemi në Këshillin Politik dhe do të vazhdojmë të diskutojmë. Marrëveshja e nënshkruar sot janë dokument që duhet të kthehen në akte ligjore. Ka një arsye shumë të rëndësishme që nuk duhet humbur kohë për marrëveshjen e 5 qershorit. Koha është e ngushtë dhe duhet shfrytëzuar çdo minutë. Ndryshimet kushtetuese do të kërkojnë reflektime në ligjin zgjedhor dhe duan kohën e tyre.”/abcnews.al/