Zgjedhjet në Himarë, policia merr në ruajtje qendrat e votimit

schedule23:30 - 3 Gusht, 2024

schedule 23:30 - 3 Gusht, 2024

Policia në Himarë ka marrë në ruajtje të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet për kryetar bashkie. Punonjësit e policisë janë paraqitur sipas detyrës së përcaktuar pranë këtyre objekteve, për t’i marrë në ruajtje.

Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri në orën 06:00 të datës 04.08.2024 kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit. Në të njëjtën kohë, vazhdon kontrolli i territorit në të gjithë qarkun, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Në total janë 23 mijë qytetarë me të drejtë vote. 36 qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit.

Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash.

Pas arrestimit të tij bashkia u drejtua fillimisht nga ish-kryebashkiaku, Jorgo Goro i cili u arrestua për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për abuzime me pronat.

Pas Goros drejtimin e bashkisë e mori nënkryetarja, Blerina Balaj, e cila më pas dha dorëheqjen duke përmendur arsye personale. Këshilli bashkiak më pas zgjodhi një kryetar të ri në detyrë, Arqile Bollanon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!