“Zgjedhjet e ardhshme në Serbi”, Meta thirrje shqiptarëve në Preshevë : Merrni pjesë në zgjedhje

schedule13:59 - 10 Shkurt, 2020

schedule 13:59 - 10 Shkurt, 2020

Presidenti i Republikës Ilir Meta kiëtë të hënë ka bërë me dije se po ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në Luginën e Preshevës e në mënyrë të veçantë zhvillimet politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Kreu i shtetit shqiptar ka bërë thirrje që në vijimësi për zgjidhjen në mënyrë demokratike të të gjitha çështjeve që shqetësojnë popullsinë shqiptare të Luginës dhe të gjithë shqiptarët në Serbi. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në zgjedhje, si ato të përgjithshme, ashtu dhe lokale, është me rëndësi madhore.

Ndër të tjera në reagimin e tij për mediat thuhet se presidenti Meta do të inkurajojë të gjitha forcat politike të Luginës së Preshevës dhe të gjithë popullsinë shqiptare kudo ku jeton në Serbi, të marrin pjesë në zgjedhje, të unifikojnë qëndrimet, në mënyrë që të maksimalizojnë rolin dhe kontributin e tyre në institucionet e ardhshme, si në nivel qëndror, ashtu edhe në nivel lokal.

Gjithashtu Meta shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, bashkëpunimi i të gjithë subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!