Zgjedhjet e 30 Qershorit, Biba: Celebrohet shteti i së drejtës

schedule23:28 - 28 Qershor, 2019

schedule 23:28 - 28 Qershor, 2019

Zv/kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba deklaroi këtë të premte se zgjedhjet që po zhvillohen nuk janë më të mirat, por celebrojnë shtetin e së drejtës. Ai ishte i ftuar në emisionin “Provokacija” të Mustafa Nanos, ku theksoi se mes datës 30 Qershor dhe 13 Tetor vendoset mes ligjit dhe pazarit.

“Këto zgjedhje janë votime në shumicën e tyre, minimalisht në 50% të zonave ne kemi vetëm 1 kandidat, jo për faj të atij kandidati, por se dikush tjetër zgjodhi të mos ta përballte. Nga perspektiva e demokracisë në kuptimin e ngushtë të fjalës, të asaj shumicës matematike periodike çdo katër vjet. Këto nuk janë zgjedhjet më të mira që ne po bëjmë për ta thënë me eufemizëm se nuk dua të them që nuk janë zgjedhjet mirë, nuk më takon. Por kjo që po ndodh është celebrim i shtetit të së drejtës. Jo më kot partnerët ndërkombëtarë kanë këmbëngulur në mënyrë të paimagjinueshme për datën 30.

Çfarë kishte përballë data 30? Data 30 ka datën 13 Tetor përballë. Ligji, pazari. Ne do të zbatojmë ligjin apo do të mbetemi peng në mënyrë të vazhdueshme të pazareve. Në botën perëndimore demokracia erdhi pasi shteti ishte konsoliduar në mënyrë të parikthyeshme, kurse ne tentuam të ndërtonim demokraci pa ndërtuar shtet. Nuk mund të ketë shtet demokratik pa shtet. Duhet të mësojmë që rregullat janë rregulla. Rregullat janë të tilla, kur një gjyqtar atje në Hawaii ose në Sarandë mund t’i thotë presidentit të republikës, ‘zotrote ke gabuar dhe vendimi yt është i sëmurë’. Ky është shteti i së drejtës”, tha Biba.

Për sa i përket ditës së diel, Biba tha se zgjedhjet do të zhvillohen në normalitet edhe pse mendon se do të ketë disa episode të pakëndshme.

“Zgjedhjet e 30 Qershorit do të jenë në kufjitë e normalitetit. Natyrisht do të ketë episode, jo posaçërisht të dhunës, por episode të pakëndshme. Kur nuk ka pasur? Më thoni një palë zgjedhje kur nuk ka pasur? Edhe në 2015 në Kurbin ka pasur edhe viktima”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!