Sot në Venezuelë votohet për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Favorit është presidenti aktual Nikolas Maduro, i cili përfiton edhe nga bojkoti i opozitës.
Qytetarët e Venezuelës janë thirrur në votime për të zgjedhur presidentin e ri, në një klimë protestash dhe bojkoti në një vend që po kalon krizën më të keqe të historisë. Pavarësisht se opozita nuk paraqitet në zgjedhje dhe ka kërkuar bojkotimin e votimit, do të jëtë një garë ndërmjet 3 kandidatëve mes presidentit në detyrë, Nikolas Maduro, i akuzuar se drejton një regjim autoritar; ultraliberalisti Henri Falcon i cili premton që të rihapë Venezuelën ndaj botës dhe pastori ungjillor me origjinë italiane Javier Bertucci, i cili lufton për të drejtat e të varfërve.
Fituesi do të trashëgojë një vend në mes të një krize të thellë ekonomike dhe sociale, me miliona njerëz që vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe ilaçeve, hiperinflacioni dhe pasiguria në rritje. Përfaqësuesit e dhjetë vendeve të Amerikës Latine së bashku me Spanjën dhe Shtetet e Bashkuara përsëritën “dënimin e regjimit autoritar” të krijuar aktualisht nga Nicolas Maduro.
Qëndrimi i tij në pushtet është kundërshtuar ashpër nga opozita dhe popullsia me protesta të dhunshme. Ndërkohë, votimi ka filluar në 06:00 të mëngjesit, 12:00 në shqipëri. Rezultatet e para do të mësohen të hënën. Pothuajse të gjitha sondazhet tregojnë një barazpeshë mes Maduros dhe Falcon. Por abstenimi i lartë favorizon presidentin aktual, i cili mund të përdorë dhe manipulime të ndryshme për të fituar. /abcnews.al

