Zgjedhja e 12 anetareve te rinj te KQZ mban peng “Zgjedhoren”, PS nuk ulet ne tryeze me PD e LSI

schedule22:44 - 17 Qershor, 2020

schedule 22:44 - 17 Qershor, 2020

Këshilli Politik nuk u mblodh pasditen e kësaj të mërkure për të mbyllur çëshjen e fundit që ka ngelur hapur nga reforma zgjedhore: zgjedhjen e 12 anëtarëve të rinj të trupës së KQZ-së.

Opozita kërkoi që takimi të bëhej në 5 pasdite, duke përsëritur formulën e saj që kryekomisioneri, zëvendës komisioneri, 5 anëtarët e KAS dhe 5 anëtarët e Këshillit Rregullator, të zgjidhen nga Avokati i Popullit.

Por Avokate e Popullit sot është Erinda Ballanca. Ajo u zgjodh në vitin 2017, si pjesë e marrëveshjes Rama-Basha, që këtë institucion ja dha Partisë Demokratike ta drejtonte.

Socialistët nuk janë të gatshëm të lënë të gjitha emërimet e strukturës së re të KQZ-së, në duar të njeriut të përcaktuar direkt nga Partia Demokratike.

Mazhoranca nuk e pranon këtë formulë, dhe përsërit se me cdo kusht, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të zgjidhen në Kuvend. Por në parlament, PD dhe LSI nuk kanë asnjë mandat, dhe nuk kanë garanci që emrat e përkrahur prej tyre do të marrin votat e duhura.

Në mbrëmjë, opozita i shkroi sërish Damian Gjiknurit, duke e pyetur se pse refuzon këtë skemë përmes avokatit të popullit, kur edhe disa anëtarë të institucioneve të reja të drejtësisë zgjidhen prej tij.

Kjo pyetje ngeli pa përgjigje, teksa më herët negociatori socialist kishte thënë se PS do të ulet në tryezë, vetëm kur PD të sjellë një propozim të ri, se si 12 anëtarët e KQZ-së së re, të zgjidhen nga parlamenti, dhe të garantohet mbështetja për emrat e opozitës. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!