Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, një i konvertuar katolik, i është bashkuar Donald Trumpit në kritikat ndaj Papa Leoni XIV pasi ky i fundit lëshoi një thirrje të ashpër për t’i dhënë fund të gjitha luftërave.
“Në disa raste do të ishte më mirë që Vatikani t’u përmbahej çështjeve të moralit”, tha Vance për ”Fox News”.
“Përmbajuni gjërave që po ndodhin në Kishën Katolike”, shtoi ai.
Kjo vjen pasi presidenti i SHBA-së Trump nisi një sulm të ashpër ndaj papës së parë të lindur në SHBA, pas një predikimi të shtunën në të cilin kreu i Kishës Katolike i bëri thirrje udhëheqësve botërorë të ndalojnë armiqësitë dhe të ndjekin paqen.
Trump u përgjigj të dielën duke e quajtur Papa Leoni XIV si “të tmerrshëm” për politikën e jashtme dhe “të dobët ndaj krimit”.
Papa Leone XIV u kundërpërgjigj të hënën, duke thënë se “nuk kishte frikë nga administrata Trump”.
“Gjërat që them nuk kanë për qëllim sulme ndaj askujt”, tha kreu i Kishës Katolike gjatë një udhëtimi në Afrikë.
“Unë nuk jam politikan. Po i ftoj të gjithë njerëzit të kërkojnë mënyra për të ndërtuar ura paqeje dhe pajtimi ose për të kërkuar mënyra për të shmangur luftën sa herë që është e mundur”, shtoi ai.
Vance, i cili u konvertua në katolik në vitin 2019, tha se ishte “një gjë e mirë, në fakt, që papa po mbron gjërat për të cilat interesohet”.
“Gjithashtu do të mos biem dakord për çështje thelbësore herë pas here. Mendoj se kjo është një gjë krejtësisht e arsyeshme”, shtoi ai.
Lidhur me grindjen publike midis Trump dhe papës, Vance tha se “mendoj se është një gjë e natyrshme. Jam i sigurt se do të ndodhë në të ardhmen dhe nuk është aq e madhe sa ka ndodhur në të kaluarën”.
I pyetur për një imazh të postuar nga Trump që përshkruan presidentin amerikan si Jezu Krishti, Vance tha se ”Trump po postonte një shaka”.
Vance tha se Trump e kishte hequr përsëri foton pasi “e kuptoi se shumë njerëz nuk po e kuptonin humorin e tij në atë rast”.


