Zëvendësoi Lleshajn, Nikolla në Abc News: Do të marrim 3 mandate në Lezhë

schedule18:05 - 15 Shtator, 2020

schedule 18:05 - 15 Shtator, 2020

Partia Socialiste pret që në Lezhë të marrë në 2021 të paktën tre mandate.

Kështu është shprehur gjatë një bisede në studion e Abc News me gazetarin Endri Xhafo, drejtuesja e politike e qarkut Lezhë Lindita Nikolla.

Kujtojmë se Nikolla u kthye nga kreu i PS Rama si drejtuese politike në qarkun e Lezhës, në vendin e Sandër Lleshajt.

“Është një detyrë që e rimarr, për shkak edhe të njohjes. Por edhe prej të qenurit deputete e qarkut të Lezhës, në Mirditë. Besoj që kjo përgjegjësi e re duhet përkthyer me më shumë angazhim, organizimi…”

Sa i përket përplasjes publike mes Pjerin Ndreut dhe Sandër Lleshajt, Nikolla u shpreh se kjo përplasje nuk u bë shkak për ikjen e ministrit të Brendshëm nga Lezha.

“Nuk mund ta them këtë. Patjetër ai i plotësoi të gjitha detyrat që vinin nga kryesia e PS në këtë periudhë, për drejtuesit politikë. Është përsëri kryesia dhe kryetari i PS, që në këtë moment të ri, të krijojë sinergjinë e re.. Unë kështu e shoh, dhe s’e shoh kundër këtij apo pro atij.”

Ndërsa, duke folur për përgatitjet që PS po bën në këtë qark, Nikolla tha se socialistët nuk do të bien nën tre mandate që i morën në vitin 2017.

Lexo edhe: Përse nuk i shkoi Besa Shahini mandatit deri në fund? Nikolla: Nuk është momenti për kritika

“Kemi ambicie për të marrë më shumë. Po punojmë fort. Të tre bashkitë janë përfaqësuese të PS, po bëhet një punë shumë e mirë,” u shpreh ndër të tjera ish-ministrja e Arsimit.

Po ashtu, Nikolla u shpreh se fakti që tre bashkitë janë të PS, është ndihmë për zgjedhjet pasi, puna e bërë deri më tani nga to, sipas saj, ka qenë e mirë dhe “brenda shinave” për trajtimin e të gjithëve me barazi.

“Ne po bëjmë një punë të strukturuar organizative në çdo qendër votimi. Për çdo qendër votimi po ndërtohet puna që ka të bëjnë me komunikimin. Puna e bashkive, investimet, rezultate në sektorë të caktuar. Me atë që është bërë me rindërtimin. Projektet investuese. Është një sfidë nuk është një fushë, ku e di që do ecim në këtë rrugë e do shkojmë në këtë rezultat,” u shpreh ajo në lidhje me punën përgatitore që po bëhet në Lezhë.

Sa i përket disa listave që po qarkullojnë në administratë, për “deklarimin e votës”, Nikolla u shpreh se kjo listë po qarkullon vetëm brenda strukturave të PS.

Në çdo rast të bërë jashtë, apo drejt punonjësve të administratës, thotë ajo duke përmendur edhe denoncimet e PD, duhet të drejtohen tek organet përkatëse. s.b/ abcnews.al/