Zëdhënësi i BE-së: Kosova e Serbia të përmbahen, s’duam përshkallëzim të situatës

schedule21:25 - 26 Tetor, 2022

schedule 21:25 - 26 Tetor, 2022

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare nuk duan përshkallëzim të situatës teksa po afrohet 31 tetori, që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Kosovës nga periudha e para luftës, me ato RKS.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga hapat përshkallëzues.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare presin që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga hapat e njëanshëm, përshkallëzues dhe të përqendrojnë të gjithë energjinë dhe përpjekjet në arritjen e përparimit në dialog për ta çuar atë përpara drejt qëllimit përfundimtar të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, është shprehur  zëdhënësi i BE-së për Klan Kosova.

Stano, mes tjerash, tha se parandalimi i përshkallëzimit mes dy vendeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

“Progresi në dialog është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin që dëmton vetëm njerëzit në të dyja anët”, theksoi Stano.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Prishtinë, ishte i prerë se vendimi për riregjistrimin e të gjitha veturave me targa RKS nuk shtyhet më pasi i njëjti vendim u shty një herë në fund të shtatorit.

“Ne vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit, mes tjerash, tha se ky vendim nuk është kundër serbëve që jetojnë në Kosovë. /abcnews.al/