Zbulohet skema në Tepelenë, pronari dhe klienti i lokalit vinin fitimin në baste online

schedule20:36 - 23 Shkurt, 2022

schedule 20:36 - 23 Shkurt, 2022

Zbulohet një rast i lojërave të fatit në një lokal në Tepelenë. Policia bën me dije se janë vënë nën hetim një pronar lokali dhe klienti i tij pasi kishin shkarkuar programe që përdoren për organizimin e basteve online. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pjesëmarrja në lojërat e fatit që zhvillohen në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

“Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Goditet një tjetër rast i ushtrimit të kësaj veprimtarie në ambientet e një lokali.  Vihet në pranga administratori i lokalit, procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë.  Sekuestrohen 2 aparate celulare.

Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 55 vjeç, banues në Memaliaj (administrator i një lokali), pasi kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit që administronte, për organizimin e lojërave të fatit.

Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit B. M., 60 vjeç, banues në Memaliaj (pronar i subjektit) dhe J. E., 34 vjeç (klient i subjektit), pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e lotarive të palejuara në subjektin e shtetasit A. M.  Nga këqyrja e aparateve celulare të këtyre dy shtetasve janë gjetur programe që përdoren për organizimin e basteve sportive online.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pjesëmarrja në lojërat e fatit që zhvillohen në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, njofton policia. /abcnews.al