Zbulohet ku do të zhvillohet Kupa e Botës 2026

schedule13:12 - 13 Qershor, 2018

schedule 13:12 - 13 Qershor, 2018

Botërori i vitit 2026 do të zhvillohet për herë të parë në tre vende të ndryshme. FIFA votoi kandidaturën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Meksikës.

As nuk pritej garë, por gjithsesi, këta burra ndjenë gëzim të madh.

FIFA ia dha Botërorin e vitit 2026 kandidaturës me emrin “Bashkimi”, pas së cilës qendronin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.

Me një fjalë, një kontinent i tërë do të organizojë një Kupë Bote, diçka që ndodh për herë të parë dhe që thyen rekordin e turneut të vitit 2002 që u organizua në dy vende, në Japoni e Kore të Jugut.

Për kandidaturën SHBA-Kanada-Meksikë votuan 134 anëtarë, nga 200 që morën pjesë gjithsej në votim, ndërsa kandidatura rivale, ajo e Marokut mori 65 vota.

Karlos Kordeiro, presidenti i Federatës së SHBA-së, foli në emër të te tre vendeve, duke falenderuar FIFA-n dhe gjithë ata që votuan për ta, duke e quajtur një nder të pabesueshëm, dhe një privilegj të madh.

Kordeiro beson se turneu do të krijojë 14 miliardë dollarë të ardhura, dhe plot 11 miliardë dollarë fitime për FIFA-n.

Më pas, presidenti i FIFA-s, Infantino, i dorëzoi fituese dokumentin zyrtar që i njeh si organizatorë të Kupës së Botës në 2026.

Bëhet fjalë për Botërorin më të madh në histori, me plot 48 skuadra finaliste, në të cilin do të luhen 80 ndeshje në 34 ditë.

Do të jenë 16 qytete ku do të luhen sfidat, nga të cilët 10 janë amerikanë, 3 kanadeze dhe 3 meksikane, me finalen që do të mbahet në stadiumin “Metlajf” të Nju Jorkut.

Kjo është hera e dytë që SHBA organizon kompeticionin më të madh të kombëtareve në rruzull, por nuk mundet që ta arrijë rekordin e Meksikës, që e ka për herë të tretë, ndërsa për Kanadanë është një debutim në këtë aventurë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!