TIRANË- Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e krimit në Zall Bastar ku humbi jetën 81-vjeçari Xhemal Meta, ndërsa u arrestua një 64-vjeçar, si autor i dyshuar i krimit.
Kreu i Policisë së Tiranës, Elton Alushi në një konferencë për mediat pohoi se autori i dyshuar është Isuf Hasa.
Sipas policisë, Isuf Hasa ka shkuar në banesën e të moshuarit dhe e ka goditur për motive të dobëta me çekiç në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen.
“Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar. Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj”, theksoi policia.
Ai theksoi se çekiçi me të cilin autori i dyshuar ka goditur të moshuarin është gjetur në banesën e vajzës së tij, në Vorë.
“Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e vajzsë e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .
Policia tha se autori ka pranuar autorësinë e krimit.
“Po, është në pozita pohuese. Ka pranuar krimin e kryer”, tha kreu i policisë Tiranë.
/abcnews.al/