Zbardhet vendimi i qeverisë, 3 ditë pushim për prindin me fëmijë të mitur: Mund të punojë nga shtëpia

schedule17:27 - 24 Janar, 2022

schedule 17:27 - 24 Janar, 2022

Pas vendimit për ndërprerjen e procesit mësimor nga data 24–26 janar për shkak të uljes së temperaturave, qeveria ka vendosur që të lërë pushim edhe njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë. Bëhet fjalë për ata prindër që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Prindërit me fëmijë të mitur lejohen të qëndrojë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare gjatë ditëve kur nuk do të ketë shkollë. Në vendim thuhet që prindërit mund të punojnë edhe nga shtëpia, nëpërmjet telepunës. Një thirrje i bëhet të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre.

V E N D I MI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1.Caktimin e datave 24, 25 dhe 26 janar 2022 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

2.Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, për aq sa është e mundur, përjashtimisht, me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë ose titullarit të institucionit, mund të kryejnë detyrat më të domosdoshme funksionale të cilat përmbushen në kushtet e banesës, nëpërmjet telepunës.

3.Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, si pasojë e motit të ftohtë të këtyre ditëve, jo të zakonshëm në vend, dhe përshkallëzimit të përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

4.Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar funksionalitetin e domosdoshëm të çdo institucioni.

Për shkak të kushteve ekstreme të motit me temperatura disa gradë nën zero, shkollat në të gjithë vendin do të qëndrojnë të mbyllura për 3 ditë. Orët e humbura nga mbyllja 3-ditore do të zëvendësohen në një moment të dytë. Duke filluar nga e premtja Shqipëria është mbërthyer nga i ftohti polar me temperatura deri në -14 gradë. Për herë të fundit, Tirana është përfshirë nga reshjet e dëborës në Shkurt të vitit të kaluar. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!