Zbardhet biseda, Lajçak për liberalizimin e vizave: Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër

schedule16:42 - 16 Qershor, 2021

schedule 16:42 - 16 Qershor, 2021

I dërguari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak është shprehur me tone shumë të ashpra sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Hulumtuesi në Forumin Ballkanik, Samir Behariç ka rrëfyer për momentin kur ai pyeti Lajçakun se pse liderët e Ballkanit duhet t’i besojnë BE-së, duke ditur faktin se pavarësisht premtimeve, Kosovës nuk i janë liberalizuar vizat.

Ndërkohë, përgjigja e Lajçak ishte jashtë kornizave të argumentimit.

“Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”, i është kthyer Lajçak, sipas Behariç.

Sipas pretendimeve të hulumtuesit në fjalë, Lajçak ka thënë se është “trend” të kritikohet BE-ja për vizat, por që sipas tij liderët e Kosovës duhet të shkojnë tek vendet që po e bllokojnë procesin dhe të shohin se si mund të ia arrijnë qëllimit.

“Tash është bërë trend të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por liderët e Kosovës duhet të shkojnë në shtetet që po bllokojnë lëvizjen që të pajtohen”, ka vazhduar Lajcaku, ndërsa ka pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, sipas Behariç. Të gjitha këto zhvillime, sipas Behariç kanë ndodhur në Forumin e Bratisllavës.