Zbardhen argumentat e Kolegjit Zgjedhor: Presidenti ka marrë kompetencat e Kuvendit

schedule16:30 - 27 Qershor, 2019

schedule 16:30 - 27 Qershor, 2019

Kolegji Zgjedhor zbardhi argumentet gjithashtu konfirmoi edhe njëherë se zgjedhjet vendore do të mbahen 30 qershor. Duke mbajtur në konsideratë edhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, si edhe mohimit që i bëhet të drejtës për të votuar, kolegji ka trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe dekretin e presidentit Meta qe anuloi zgjedhjet.

Argumentet e Kolegjit:

“Kolegji çmon të bazuar qëndrimin e KQZ-së.

Presidenti i Republikës ka kompetencë të kufizuar në kohë, dhe tej kësaj kohe, ai nuk ka më asnjë kompetencë për të vepruar në këtë drejtim. Pra, as mund të ndryshojë dhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve. Të dyja këto parashikime të Kodit Zgjedhor nuk janë respektuar në nxjerrjen e dekretit të dytë, për rrjedhojë, janë momente që e bëjnë dekretin e dytë të Presidentit të Republikës të jetë në shkelje të hapur dhe në mënyrë flagrante me dispozitat ligjore.

Vetëm ligji mund ta lejojë që Presidenti të ndryshojë apo të shfuqizojë datën e zgjedhjeve, sikurse ka ndodhur në vitin 2007, kur Kuvendi u detyrua të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të mundësuar këtë.

Kolegji Zgjedhor çmon se Presidenti i Republikës, nëpërmjet anulimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit 2019, në mungesë të kompetencës ligjore dhe tej afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, ka marrë kompetencat e një organi tjetër, konkretisht ka marrë kompetencat e Kuvendit të Shqipërisë.

Kolegji Zgjedhor çmon se anullimi i datës së zgjedhjeve në mungesë të kompetencës ligjore dhe në shkelje të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor bën që në fakt, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote t’iu mohohet një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë: e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur

Nëpërmjet anullimit të datës së zgjedhjeve bëhet edhe zgjatja e mandatit të organeve të qeverisjes vendore tej afatit ligjor, e një gjë e tillë është e papranueshme, pasi bie ndesh me nenin 1, pika 3 dhe nenin 2, pikat 1 e 2 të Kushtetutës”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!