Xixa te Vllaznia, sponsori Xhaferi debaton ashpër me administratorin e ri

schedule18:38 - 13 Nëntor, 2020

schedule 18:38 - 13 Nëntor, 2020

Vllaznia e ka nisur shumë mirë sezonin e ri. Dy fitore në Superiore, vendi i parë në renditje dhe dy fitore në Kupën e Shqipërisë, me ekipin e Thomas Brdaric që u kualifikua në çerekfinale pas goleadës 8-0 të ditës së sotme kundër Elbasanit.

Një episod i pakëndshëm ka ndodhur sot para nisjes së përballjes shtëpiake me miqtë nga Elbasani. Telesport raporton se Alban Xhaferri (sponsori i ri i klubit shkodran) dhe Benjamin Naku (administratori i Vllaznië) kanë debatuar fort mes tyre.

Ndërkohë që Naku po monitoronte listën e personave që mund të futeshin në stadium, Xhaferri u pengua nga policia bashkiake, kjo për shkak se emri i tij nuk ndodhej në listë.

Teksa Xhaferri po tentonte të futej në “Loro Boriçi”, administratori Naku qëndroi indiferent dhe nuk po reagonte aspak. Diçka e tillë solli nervozizmin e sponsorit dhe biseda mes dy drejtuesve u tensionua.

Një ngjarje e hidhur në një moment të mirë, që konfirmohet edhe nga burime të abcnews.al pranë klubit shkodran. Ndër të tjera bëhet me dije gjatë kësaj periudhe kanë ndryshuar shumë gjëra, me emërimin e administratorit të ri.

Duket sikur ka një tendencë për të treguar se kush është i pari në klub, në një moment kur gjithçka ka nisur mbarë. Një luftë “gjelash”, që nuk është se i shërben Vllaznisë dhe po prodhon tension dhe incidente të kota, si ky që ka ndodhur sot.

Për më tepër që vijnë pasi ekipi është ndërtuar nga drejtuesit e rinj, të cilët po sponsorizojnë dhe duan edhe ta privatizojnë klubin. Një ngritje “shpatash” për të treguar forcën është e pavend, sidomos tani që duket se gjërat po shkojnë mirë në kampin shkodran. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!